Shtetet e Bashkuara të Amerikës po rrisin ndjeshëm praninë ushtarake pranë hapësirës ajrore të Kubës, duke kryer fluturime vëzhguese me avionë dhe dronë që sipas analizave të mediave ndërkombëtare po shfaqen qëllimisht në sistemet publike të gjurmimit të fluturimeve.
Sipas të dhënave të analizuara nga BBC, të paktën 5 avionë patrullues të Marinës amerikane P-8A Poseidon dhe 3 dronë MQ-4C Triton kanë operuar në Karaibe pranë Kubës që nga data 11 maj. Disa prej tyre janë afruar deri në rreth 80 kilometra nga territori kuban, duke kryer fluturime të përsëritura në jug dhe veri të ishullit.
Ekspertët ushtarakë thonë se këto fluturime nuk duken rutinë dhe mendohet se synojnë të monitorojnë lëvizjet detare dhe të ushtrojnë presion mbi qeverinë kubane, sidomos në një periudhë kur SHBA ka rritur presionin ekonomik dhe kufizimet ndaj furnizimeve me naftë për ishullin. Sipas tyre, fakti që këto fluturime janë të dukshme në platforma publike shihet si mesazh i qëllimshëm për të treguar mbikëqyrje të vazhdueshme.
Marrëdhëniet SHBA–Kubë janë përkeqësuar edhe më tej pas akuzave të reja të ngritura nga SHBA ndaj ish-liderit kuban Raúl Kastro dhe disa zyrtarëve të tjerë, lidhur me rrëzimin e dy avionëve në vitin 1996, ku humbën jetën katër persona.
Sipas autoriteteve amerikane, Raúl Castro akuzohet për vrasje dhe shkatërrim avionësh në atë ngjarje, kur avionë ushtarakë kubanë rrëzuan dy avionë civilë të një grupi emigrantësh kubanë. Kuba e ka mohuar përgjegjësinë, duke thënë se avionët kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore dhe kishin shkelur rregullat.
Çështja, e cila është rihapur pas gati tre dekadash, së bashku me fluturimet ushtarake pranë Kubës dhe deklaratat politike nga Uashingtoni, shihet nga analistët si një fazë e re e presionit amerikan ndaj qeverisë në Havana.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)