Qytetarët, kryeministri e deputetët në strehimore, Lituania në alarm prej dronit që erdhi nga Bjellorusia

Për disa minuta, kryeqyteti lituanez u përfshi nga një paralajmërim për “rrezik ajror”, me ushtrinë që u bëri thirrje qytetarëve të strehohen në vende të sigurta.Alarmi u transmetua edhe në ndërtesën e parlamentit, ku deputetët dhe zyrtarët shtetërorë u zhvendosën në strehimore.

20.05.2026. 21:41

Qytetarët, kryeministri e deputetët në strehimore, Lituania në alarm prej dronit që erdhi nga Bjellorusia

Një incident i ri sigurie ka ndodhur në harkun e 24 orëve në rajonin Baltik duke ngritur alarmin në vendet anëtare të NATO-s, pasi autoritetet lituaneze raportuan për një dron të dyshimtë që po afrohej drejt hapësirës ajrore të vendit nga territori bjellorus. Situata shkaktoi reagim të menjëhershëm ushtarak, ndërsa avionët luftarakë të NATO-s u ngritën për interceptim dhe në Vilnius u aktivizuan procedurat emergjente të mbrojtjes civile.

Për disa minuta, kryeqyteti lituanez u përfshi nga një paralajmërim për “rrezik ajror”, me ushtrinë që u bëri thirrje qytetarëve të strehohen në vende të sigurta dhe të presin udhëzime të mëtejshme. Alarmi u transmetua edhe në ndërtesën e parlamentit, ku deputetët dhe zyrtarët shtetërorë u zhvendosën në strehimore.

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, kryeministrja Inga Ruginienė dhe anëtarë të parlamentit u evakuuan për arsye sigurie, konfirmuan autoritetet vendase.

Ministri lituanez i Mbrojtjes deklaroi se ende nuk ka konfirmim për origjinën e dronit dhe nuk mund të thuhet me siguri nëse bëhet fjalë për një mjet ukrainas. Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Krizave bëri të ditur se objekti u vu re fillimisht mbi territorin e Bjellorusisë, duke lëvizur drejt kufirit lituanez.

Për shkak të situatës, Aeroporti i Vilniusit pezulloi përkohësisht trafikun ajror, ndërsa më vonë njoftoi rikthimin e operimeve normale pasi alarmi u hoq në të gjithë vendin.

Ngjarja vjen në një moment tensionesh të larta në krahun lindor të NATO-s, ku incidentet me dronë dhe shkeljet e hapësirës ajrore janë bërë më të shpeshta për shkak të luftës në Ukrainë.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, reagoi ashpër ndaj incidentit, duke deklaruar se kërcënimet ndaj shteteve baltike janë “krejtësisht të papranueshme” dhe përbëjnë kërcënim për të gjithë Bashkimin Evropian.

“Çdo kërcënim ndaj një shteti anëtar është kërcënim ndaj të gjithë Bashkimit Evropian”, deklaroi von der Leyen, duke akuzuar Rusinë dhe Bjellorusinë për destabilizim të sigurisë në rajon.

Edhe kryeministri polak Donald Tusk paralajmëroi se agresiviteti i Moskës po e bën gjithnjë e më real rrezikun e provokimeve në kufijtë e NATO-s.

“Nuk dua të përhap panik, por kërcënimi i provokimeve të ndryshme po bëhet realitet”, tha Tusk.

Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, deklaroi se Aleanca reagoi “me qetësi, vendosmëri dhe proporcionalitet” ndaj incidentit.

Ai shtoi se edhe në rast se dronët janë ukrainas, ato nuk janë dërguar qëllimisht drejt vendeve baltike, por janë pasojë e luftës së vazhdueshme mes Rusisë dhe Ukrainës.

Incidenti ndodhi vetëm një ditë pasi Estonia raportoi rrëzimin e një droni të dyshuar ukrainas mbi territorin e saj nga një avion luftarak i NATO-s gjatë një misioni stërvitor. Ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur, tha se objekti kishte shumë gjasa të synonte objektiva ruse dhe se rrëzimi ndodhi në kushte të luftës intensive elektronike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)