I armatosur në mes të Barcelonës, kapet shqiptari që kërkohej me ngulm nga Franca

Autoritetet franceze kishin lëshuar ndaj tij dy urdhër-arreste për trafik droge dhe përfshirje në grup kriminal.

Burimi: Liniaxarxa

20.05.2026. 22:49

I armatosur në mes të Barcelonës, kapet shqiptari që kërkohej me ngulm nga Franca

Një 29-vjeçar shqiptar është arrestuar nga Guardia Civil në qendër të Barcelonës, pasi rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet franceze dhe spanjolle për disa vepra penale të rënda.

Sipas mediave spanjolle, arrestimi është kryer në zonën e njohur “Passeig de Gràcia”, pas një operacioni vëzhgimi dhe ndjekjeje nga policia, e cila priti momentin e duhur për ta neutralizuar në kushte sigurie.

Gjatë kontrollit fizik, efektivët zbuluan se 29-vjeçari mbante me vete një pistoletë tip “Makarov”, armë me origjinë sovjetike, e mbushur me shtatë fishekë dhe gati për qitje.

Policia sekuestroi gjithashtu dokumente identifikimi false greke, të cilat i arrestuari i përdorte për të shmangur autoritetet.

Autoritetet franceze kishin lëshuar ndaj tij dy urdhër-arreste për trafik droge dhe përfshirje në grup kriminal, ndërsa në Spanjë kërkohej për vjedhje dhe grabitje automjetesh.

Pas arrestimit, shqiptari është paraqitur para Gjykatës së Barcelonës, ndërsa pritet vendimi për procedurat e mëtejshme dhe ekstradimin e mundshëm drejt Francës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)