“Gjuha amtare e drejtë themelore”, MEPJ reagon për protestën e Shkupit

Në reagimin e saj, Ministria e Jashtme thekson se jo çdo angazhim institucional bëhet publik menjëherë apo reflektohet në deklarata mediatike dhe rrjete sociale.

20.05.2026. 18:23

“Gjuha amtare e drejtë themelore”, MEPJ reagon për protestën e Shkupit

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas akuzave për heshtje, mbi qëndrimin e institucioneve shqiptare ndaj protestës së studentëve shqiptarë në Shkup për përdorimin e gjuhës shqipe.

Në një deklaratë zyrtare, ministria mohon akuzat për mungesë reagimi, duke theksuar se ka pasur angazhim të drejtpërdrejtë institucional dhe diplomatik në mbështetje të studentëve.

Sipas MEPJ, Ambasada e Shqipërisë në Shkup ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me studentët dhe me zhvillimet në terren, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë ka zhvilluar takim personal me protestuesit për të dëgjuar shqetësimet dhe kërkesat e tyre.

Në deklaratë përmendet edhe reagimi publik i ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili ka mbështetur të drejtën e studentëve për përdorimin e gjuhës shqipe.

“Përdorimi i gjuhës amtare është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve”, shkruan Hoxha.

Ai gjithashtu ka vlerësuar protestën e studentëve, duke theksuar se ata “meritojnë përgëzim për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike” me të cilën kanë ngritur kërkesat e tyre.

Në reagimin e saj, Ministria e Jashtme thekson se jo çdo angazhim institucional bëhet publik menjëherë apo reflektohet në deklarata mediatike dhe rrjete sociale.

Sipas saj, diplomacia funksionon përmes kontakteve të drejtpërdrejta dhe komunikimeve zyrtare, me qëllim arritjen e rezultateve konkrete.

“Çështja e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut kërkon përgjegjësi dhe seriozitet, jo deklarata politike për konsum mediatik”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Deklarata vjen pas kritikave të opozitës, ku kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi qeverinë shqiptare për heshtje lidhur me ndalimin e disa studentëve shqiptarë nga autoritetet maqedonase gjatë protestave në Shkup.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)