Regjistroi kriminelët dhe kërkonte ryshfet, polici u arrestua falë provave që kishte grumbulluar vetë

Arrestohet për korrupsion oficeri i Komisariatit të Sarandës, kur ka dorëzuar materialet në Prokurori, pa e kuptuar ka dorëzuar edhe bisedat që e implikonin direkt.

20.05.2026. 14:58

Regjistroi kriminelët dhe kërkonte ryshfet, polici u arrestua falë provave që kishte grumbulluar vetë

Oficeri i Komisariatit të Sarandës, Edmond Ruçi është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi dyshohet i përfshirë në një rast korrupsioni. Sipas informacioneve të AMP-së, Ruçi kishte siguruar përgjime për dy vëllezër të dyshuar për aktivitet kriminal.

Pas kësaj, ai ka takuar nënën e tyre, të cilës i ka kërkuar para në këmbim të mbylljes së hetimeve. Nëna, pasi është larguar nga takimi, ka kontaktuar djemtë për t’u treguar bisedën e zhvilluar me oficerin. Por komunikimet telefonike janë regjistruar, duke u kthyer në prova të rëndësishme për hetimin.

Për ironi, oficeri është “fundosur” nga përgjimet që kishte realizuar vetë, pasi kur ka dorëzuar materialet në Prokurori, pa e kuptuar ka dorëzuar edhe bisedat që e implikonin direkt. Pas zbardhjes së këtyre komunikimeve, Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e tij, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka pasur raste të tjera të ngjashme.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)