"Të rritet prezenca e "Shqiponjave" në terren", Hita në Sarandë: Asnjë tolerancë

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita është takuar me strukturat e policisë së Sarandës ku kërkoi prezencë të shtuar të forcave Shqiponja.

20.05.2026. 12:17

"Të rritet prezenca e "Shqiponjave" në terren", Hita në Sarandë: Asnjë tolerancë

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita është takuar me strukturat e policisë së Sarandës ku kërkoi prezencë të shtuar të forcave Shqiponja. 

"Forca e Posaçme “Shqiponja” duhet të rrisë prezencën dhe reagimin në terren, për goditjen e elementeve kriminale dhe rritjen e sigurisë në qytet. Policia Kufitare duhet të jetë më aktive në parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, kontrollin e kufirit jeshil dhe monitorimin e mjeteve lundruese. Çdo kërcënim apo presion ndaj punonjësve të Policisë duhet të denoncohet menjëherë dhe do të përballet me forcën e ligjit, duke iu siguruar mbështetjen time të plotë", tha Hita. 

Ai paralajmëroi se kushdo që mban lidhje me grupet krimnale do të përjashtohet nga policia. 

"Cilido që do mbajë lidhje apo do favorizojë grupet kriminale dhe elementet me rrezikshmëri të lartë shoqërore do të përjashtohet nga Policia dhe do merret drejtësia me të.  Strukturat policore duhet të reagojnë me forcë ndaj grupeve kriminale, armëmbajtjes pa leje, kapjes së shtetasve të kërkuar, trafikut të narkotikëve dhe ndaj çdo aktiviteti kriminal që cenon rendin dhe sigurinë publike", vijoi ai. 


Kreu i policisë foli dhe për ndërtimet pa leje: "Ndërtimet pa leje në asnjë mënyrë nuk do të lejohen. Bashkëpunoni dhe koordinoni veprimet me strukturat e tjera përgjegjëse për mbrojtjen e territorit". 

Në prag të sezonit turistik, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat policore, për garantimin e rendit, sigurisë dhe ofrimin e një shërbimi profesional ndaj qytetarëve dhe turistëve vendas e të huaj.  

Në përfundim, ai theksoi se Policia e Sarandës duhet të rikthehet në standardet që qytetarët meritojnë, përmes profesionalizmit, reagimit në kohë dhe zbatimit të paanshëm të ligjit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)