Shkeljet rreth ndërtimeve pa leje, Prokuroria e Sarandës zbardh masat e sigurisë për shefin e Komisariatit dhe 3 policët

Pas seancës që ka zgjatur afro 7 orë, Gjykata ka vendosur masën “arrest me burg” për ish-shefin e komisariatit Gëzim Bashllari dhe një nga specialistët e zonës, si edhe “arrest shtëpie” për dy efektivët e tjerë të përfshirë.

20.05.2026. 15:45

Shkeljet rreth ndërtimeve pa leje, Prokuroria e Sarandës zbardh masat e sigurisë për shefin e Komisariatit dhe 3 policët

Katër punonjës të Policisë së Sarandës janë vendosur nën masa sigurie nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, pas hetimeve të Prokurorisë që lidhen me dyshime për mosveprim ndaj ndërtimeve pa leje në zonën e qytetit bregdetare dhe Ksamilit. Në qendër të dosjes ndodhet ish-shefi i Komisariatit, Gëzim Bashllari, së bashku me tre vartës të tij, të cilët dyshohen se në disa raste nuk kanë ndërhyrë për të ndalur punime të paligjshme, duke lejuar vijimin e tyre.

Hetimet janë nisur pas materialeve të referuara nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe përfshijnë një dosje të konsiderueshme dokumentesh, ku sipas prokurorisë evidentohen raste të ndërtimeve pa leje që nuk janë trajtuar nga strukturat përgjegjëse.

Pas seancës që ka zgjatur afro 7 orë, Gjykata ka vendosur masën “arrest me burg” për ish-shefin e komisariatit Gëzim Bashllari dhe një nga specialistët e zonës, si edhe “arrest shtëpie” për dy efektivët e tjerë të përfshirë në hetim. Prokuroria kishte kërkuar masa më të rënda sigurie, duke argumentuar se ekzistojnë dyshime se mosveprimi i policisë ka favorizuar ndërtimet e paligjshme në territor.

Të katër efektivët akuzohen për shpërdorim detyre dhe për mosndërhyrje në raste kur ligji i detyron strukturat policore të ndalojnë aktivitetin e paligjshëm. Sipas organit të akuzës, në disa raste ndërtime pa leje janë konstatuar në terren, por nuk janë marrë masat për ndërprerjen e tyre.

Avokati i ish-shefit të komisariatit ka deklaruar se masa e sigurisë është e pabazuar dhe se sipas tij në dosje mungojnë prova konkrete që lidhin efektivët me shkeljet e pretenduara. Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që çështja të kalojë në faza të tjera gjyqësore në ditët në vijim.

NJOFTIMI I PROKURORISË SARANDË:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, në bazë të materialit të referuar me iniciativë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, regjistroi procedimin penal nr. 304 të vitit 2026, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mosmarrja e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë” kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim parashikuar nga neni 248, 251, 25 dhe 50/h i K.Penal, në ngarkim të shtetasve:

G.B., me detyrë Shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë;

A.D., Specialisti Seksionit për Krimeve;

A.I, Specialisti Seksionit për Krimeve; dhe

R.Ç. Ndihmës specialisti i policimit në komunitet

Pas administrimit të materialit referues, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë u kryen veprimet hetimore dhe u paraqit kërkesa për vleftësimin e ndalimit dhe caktim të masave të sigurimit.

Nga provat e administruara deri më sot, prej 2792 fletësh, rezultuan disa objekte të ndërtuara për të cilat subjektet nuk janë pajisur me leje ndërtimi nga organet kompetente, objekte të cilat nuk janë evidentuar nga ana e strukturave të Komisariatit të Policisë Sarandë, duke u lejuar vijimi i ndërtimeve në disa raste deri në përfundimin e plotë të tyre.

Strukturat e policisë kanë detyrën e ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, monitorimin, kontrollin për të gjitha çështjet që kanë lidhje me parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në drejtim të veprave penale kundër kundër jetës, shëndetit, veprat penale kundër moralit dhe dinjitetit, veprat penale kundër fëmijëve, martesës, familjes, veprat penale kundër lirisë së besimit, veprat penale që cënojnë regjimin juridik të tokës, veprat penale kundër shtetit/veprimtarisë shtetërore, veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike, veprat penale kundër drejtësisë, veprat penale kundër zgjedhjeve të lira dhe sistemit demokratik.

Për rrjedhojë, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, gjykata vendosi caktimin e masave të sigurimit si më poshtë:

Caktimin e masës së sigurimit ‘arrest në burg me afat 30 ditë’ për shtetasin G. B.;

Caktimin e masës së sigurimit ‘arrest në burg me afat 30 ditë’ për shtetasin R.Ç.;

Caktimin e masës së sigurimit ‘arrest në shtëpi’ për shtetasin A.D.; dhe

Caktimin e masës së sigurimit ‘arrest në shtëpi për shtetasin A.I.

Nga ana Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë vijojnë hetimet për identifikimin e çdo rasti, dokumentimin e plotë të faktit penal dhe individualizimin e përgjegjësisë të çdo punonjësi të Komisatriatit të Policisë Sarandë por dhe çdo institucioni tjetër përgjegjës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)