Dhunoi gazetarin, ndalohet i dyshuari në Shkodër

Sipas raportimeve mediatike, gazetari Ervin Dushi ka deklaruar se është sulmuar nga disa persona dhe ka identifikuar si autor kryesor shtetasin Prek Gjoni.

20.05.2026. 16:59

Dhunoi gazetarin, ndalohet i dyshuari në Shkodër

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 51-vjeçar, i dyshuar për dhunimin fizik të gazetarit Ervin Dushi, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 18 majit 2026 në lagjen “Skënderbeg”.

Sipas njoftimit zyrtar, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin Prek Gjoni 51 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.

Nga hetimet paraprake dyshohet se rreth orës 20:00, pranë supermarketit “Xhedis”, ai ka goditur me grushte gazetarin 46-vjeçar, për shkak të detyrës së tij. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Sipas raportimeve mediatike, gazetari Ervin Dushi ka deklaruar se është sulmuar nga disa persona dhe ka identifikuar si autor kryesor shtetasin Prek Gjoni, i njohur si pronar i rrjetit të marketeve “Xhedis”.

Po ashtu, Dushi ka pretenduar se ngjarja lidhet me një denoncim të bërë më herët prej tij në mbështetje të një punonjëseje të këtij biznesi, e cila kishte pasur konflikt me pronarin e kompanisë.

Menjëherë pas kallëzimit të gazetarit, policia identifikoi një nga personat e përfshirë, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se morën pjesë në konflikt.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)