Qeveritë e vendeve të Bashkimi Evropian po shqyrtojnë mundësinë e emërimit të një figure të njohur evropiane për të përfaqësuar bllokun në negociatat e mundshme me presidentin rus Vladimir Putin lidhur me luftën në Ukrainë.
Sipas raportimit të Financial Times, në diskutime janë përfshirë emrat e ish-presidentit të Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, dhe ish-kancelares gjermane Angela Merkel.
Gazeta britanike shkruan se ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së pritet të diskutojnë javën e ardhshme në Qipro mbi avantazhet dhe rolin që mund të kenë kandidatët potencialë në një proces të mundshëm dialogu me Moskën.
Sipas burimeve të cituara nga Financial Times, interesi për rihapjen e kanaleve formale të komunikimit me Rusinë është shtuar pas sinjaleve pozitive nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina, të cilat thuhet se kanë mbështetur një rol më aktiv të Evropës në bisedimet diplomatike.
Në fokus të diskutimeve do të jenë edhe kushtet që Evropa mund të vendosë për një marrëdhënie të ardhshme me Rusinë pas konfliktit, si dhe “vijat e kuqe” për një marrëveshje të mundshme mbi Ukrainën.
E pyetur mbi mundësinë për të marrë një rol të tillë, Angela Merkel ka lënë të kuptohet se nuk e sheh veten si personin më të përshtatshëm.
Sipas Financial Times, ajo është shprehur se presidenti rus Vladimir Putin “i merr seriozisht vetëm liderët që janë aktualisht në pushtet”, duke sugjeruar se figura të tjera mund të jenë më efektive në negociata.
Ndërkohë, kancelari aktual gjerman Friedrich Merz ka konfirmuar se partnerët evropianë po e diskutojnë seriozisht këtë çështje, por ka shmangur komentet për emra konkretë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)