Kandidati për ambasador i SHBA në Tiranë flet para Senatit: Shqipëria partner strategjik, SPAK-u apolitik
Kandidati i propozuar nga Donald Trump për postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, doli përpara Senatit amerikan në një seancë dëgjimore ku prezantoi prioritetet e tij diplomatike dhe strategjike. Wendt foli me tone vlerësuese për ushtrinë shqiptare dhe punën e SPAK.
Kandidati i propozuar nga Presidenti amerikan Donald Trump për postin e ambasadorit të SHBA-ve në Shqipëri, Eric Wendt, paraqiti para Senatit amerikan vizionin e tij për marrëdhëniet mes dy vendeve, duke vendosur në qendër luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe mbështetjen për institucionet e drejtësisë në Shqipëri.
Gjatë seancës dëgjimore në Senat, Wendt vlerësoi partneritetin me Shqipërinë në kuadër të NATO-s dhe kujtoi eksperiencat e tij të përbashkëta me trupat shqiptare në misionet ushtarake.
“Gjatë drejtimit të forcave të NATO-s, trupat shqiptare ishin pjesë e komandës sime dhe kam punuar me ta në terren. Në Afganistan kam shërbyer me trupa shqiptarë. Kam konstatuar se forcat speciale shqiptare mishërojnë shpirtin luftarak të heroit shqiptar Skënderbeu. Ndërsa vetë populli shqiptar është krenar, punëtor dhe mikpritës”, deklaroi ai.
Wendt tha se ndihet i nderuar për nominimin në këtë detyrë, duke theksuar se prej më shumë se 34 vitesh ka shërbyer në ushtrinë amerikane, përfshirë eksperiencën si pjesë e forcave speciale “Beretat e Gjelbra” dhe komandën e trupave të NATO-s.
“Jam i nderuar nga besimi i Presidentit Trump për këtë pozicion. Për më shumë se 34 vite kam shërbyer SHBA-ve si ushtar”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, kandidati për ambasador renditi sigurinë, mbrojtjen, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e funksionimit të ambasadës amerikane në Tiranë, si katër prioritetet kryesore që do të ndjekë nëse konfirmohet në detyrë.
Ai theksoi se fokusi i parë do të jetë bashkëpunimi me Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe rrjeteve kriminale ndërkombëtare.
“Mbështetja ndaj Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikut të drogës të lidhur me kartelet latino-amerikane do të ndihmojë që si Amerika, ashtu edhe Shqipëria të jenë më të sigurta”, deklaroi Wendt.
Kandidati amerikan u ndal edhe te angazhimet e Shqipërisë në NATO, duke theksuar se do të mbështesë përmbushjen e objektivave për rritjen e shpenzimeve në mbrojtje dhe forcimin e sigurisë kibernetike.
“Do të mbështes përparimin e Shqipërisë drejt angazhimeve të Samitit të NATO-s në Hagë në vitin 2025, për rritjen graduale të shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035”, tha ai.
Një tjetër fokus i deklaruar nga Wendt ishte klima ekonomike dhe mbështetja për investitorët amerikanë në Shqipëri.
“Ndërsa sektorët e inteligjencës artificiale, energjisë, infrastrukturës, minierave dhe sektorë të tjerë zhvillohen në Shqipëri, bizneset dhe investitorët amerikanë duhet të kenë një klimë të drejtë ligjore dhe kontraktuale”, theksoi ai.
Eric Wendt vjen me një përvojë të gjatë në strukturat ushtarake dhe të sigurisë amerikane, ku ka shërbyer për më shumë se tre dekada. Ai ka përfunduar detyrën e tij të fundit si komandant i pestë i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s, post nga i cili u tërhoq më 29 janar 2021.
Një emër i ri pritet të marrë drejtimin e ambasadës amerikane në Tiranë, pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka propozuar Eric Wendt për këtë post diplomatik.
Gjatë dëgjesës, Eric Wendt vlerësoi gjithashtu punën e SPAK-ut, duke e cilësuar institucionin si një nga sukseset më të rëndësishme të mbështetjes amerikane në Shqipëri. “SPAK, nga çdo gjë që kam lexuar, ka qenë një organizim apolitik, i pavarur dhe i suksesshëm”, deklaroi kandidati për ambasador.
Ai nënvizoi rëndësinë që SPAK të ruajë pavarësinë dhe të vijojë hetimet ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Puna e tyre është kritike për sa kohë mbeten të pavarur dhe jopolitikë. Kjo ndikon edhe në klimën e biznesit, rrit transparencën dhe ndihmon bizneset amerikane në Shqipëri duke balancuar situatën”, u shpreh Wendt.
Sipas tij, bashkëpunimi mes SPAK dhe autoriteteve amerikane ka qenë i rëndësishëm në procedimet kundër rrjeteve kriminale dhe trafikut ndërkombëtar të drogës.
Në përfundim të fjalës së tij, Wendt tha se pret të bashkëpunojë me institucionet shqiptare dhe partnerët amerikanë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Pres me padurim të bashkëpunoj me partnerët tanë në Shqipëri për të arritur këto objektiva të rëndësishme”, përfundoi ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Në zemër të shkretëtirës australiane qarkullojnë disa nga trenat më të mëdhenj dhe më të avancuar në botë, të ndërtuar për të transportuar miliona tonë minerale nga minierat drejt porteve eksportuese.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Korenë e Jugut për një vizitë disaditore ku është takuar dhe me homologun e tij Kim Min-seok. Forcimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit mes dy vendeve ka qenë në fokus të bisedimeve.
Ministria britanike e Mbrojtjes ka bërë me dije se dy avionë luftarakë rusë interceptuan 'në mënyrë të përsëritur dhe të rrezikshme' një aeroplan spiun të paarmatosur të RAF-it mbi Detin e Zi muajin e kaluar.
Sipas burimeve të cituara nga Financial Times, interesi për rihapjen e kanaleve formale të komunikimit me Rusinë është shtuar pas sinjaleve pozitive nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina
Sipas mediave izraelite, aktivistët janë mbajtur në një depo në portin e Ashdodit, ku janë rreshtuar me duart e lidhura pas shpine dhe janë detyruar të qëndrojnë në gjunjë.
Një incident i rëndë është regjistruar në një shkollë në Sevastopol, ku të paktën 10 nxënës mbetën të plagosur pasi u shemb ballkoni i katit të dytë të godinës.
Një zjarr i madh ka përfshirë Kaliforninë e Jugut, duke detyruar mbi 17 mijë banorë të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut të përhapjes së flakëve.
Situata gjeopolitike në botë ka ndikuar në mbarëvajtjen e eventin të rëndësishëm sportiv të Botërorit 2026. Krahas situatës në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme duket se një tjetër rrezik shfaqet, ai i shpërthimit të Ebolës në RD të Kongos.
Një nga projektet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e kërkimeve hapësinore ka hyrë në fazën operative, pasi misioni i përbashkët europiano-kinez SMILE u lëshua me sukses nga qendra hapësinore europiane në Guajanën franceze me raketën Vega-C.
Komente (0)