Kryetari i Sali Berisha ka deklaruar se bota dhe Shqipëria kanë hyrë në një “epokë të urtësisë artificiale”, gjatë prezantimit të departamentit të ri për inteligjencën artificiale në Partinë Demokratike.
Berisha tha se inteligjenca artificiale përfaqëson një revolucion të ri teknologjik, i cili sipas tij fuqizon mendjen njerëzore në të njëjtën mënyrë siç revolucioni industrial rriti forcën fizike dhe revolucioni dixhital ndryshoi komunikimin global.
Ai theksoi se kjo epokë është tashmë realitet i përditshëm përmes smartfonëve dhe aplikacioneve që përdoren gjerësisht.
Në fjalën e tij, Berisha përmendi edhe figurën e njohur shqiptare në teknologji, Mira Murati, të cilën e cilësoi si një nga personalitetet më të rëndësishme të kësaj fushe në nivel ndërkombëtar.
Nga ana tjetër, ai kritikoi ashpër drejtimin aktual politik në vend, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Bajram Begaj, të cilët i akuzoi si të papërgatitur për sfidat e epokës së inteligjencës artificiale.
“Por në antitezë, ne kemi edhe dy sharlatanët më të mëdhenj në botë të epokës së urtisë artificiale, që e kanë emrin Edi Rama dhe Haram Begaj. Janë këta sharlatanë të kësaj epoke, që emëruan ministren e parë bot, në trupin e të cilës pas kontrollit nuk u gjet qoftë dhe një qelizë e vetme urtësi artificiale. Për t’u bërë të famshëm si kryesharlatanët e kësaj epoke. Dhe kjo është jashtëzakonisht keq. Kjo tregon, e tha Denisa, në fund të fundit, liderët e ardhshëm të kësaj epoke do jenë liderët të cilët janë armatosur me të gjithë avantazhet e saj”, tha mes të tjerash Berisha.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)