Djegia e tregut në Lushnje, policia dyshon për zjarrvënie të qëllimshme

Bashkia e Lushnjës po përgatit gjithashtu një projektvendim për të kompensuar tregtarët e dëmtuar nga zjarri, i cili pritet të paraqitet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak.

20.05.2026. 20:45

Djegia e tregut në Lushnje, policia dyshon për zjarrvënie të qëllimshme

Hetimet për zjarrin që shkatërroi një ditë më parë tregun e fruta-perimeve në Lushnje kanë marrë një drejtim të ri, pasi autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që ngjarja të ketë qenë e qëllimshme. Deri tani nuk ka persona të identifikuar apo të ndaluar nga policia, por hetimet janë përqendruar te disa pista të mundshme.

Sipas këqyrjes së kamerave të sigurisë në zonë, rreth 30 minuta para se të shpërthenin flakët, pranë tregut janë parë duke u afruar tre persona. Megjithatë, nuk ka pamje të drejtpërdrejta të momentit të zjarrvënies, pasi tendat e vendosura nga tregtarët kanë bllokuar fushën e kamerave të brendshme të tregut.

Fillimisht u dyshua se zjarri mund të ishte aksidental dhe i shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, por kjo pistë nuk është konfirmuar dhe hetimet vazhdojnë.

Ndërkohë, grupi hetimor së bashku me inspektorët po punojnë për të dokumentuar plotësisht ngjarjen dhe për të identifikuar autorët e mundshëm.

Bashkia e Lushnjës po përgatit gjithashtu një projektvendim për të kompensuar tregtarët e dëmtuar nga zjarri, i cili pritet të paraqitet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak.

Tregu, i cili menaxhohej nga bashkia dhe ishte rikonstruktuar tre vite më parë, rezulton se nuk kishte masa të mjaftueshme sigurie për mbrojtjen nga zjarri.

Rreth 150 tregtarë që ushtronin aktivitetin në këtë treg do të vijojnë punën përkohësisht në rrugën pranë zonës së djegur, deri në riparimin e plotë të strukturës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)