Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë për çështjen e tenderit të lotit 7 të aksit rrugor Kardhiq-Delvinë, duke shpallur të pafajshme ish-drejtoreshën e Autoriteti Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, si dhe 9 të akuzuarit e tjerë të kësaj dosje.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Iliriana Olldashi, Engert Pëllumbi dhe Tereza Merkaj, të cilët rrëzuan dënimin e dhënë më herët nga shkalla e parë e GJKKO-së.
Në vendimin e mëparshëm, Sonila Qato ishte dënuar me 6 muaj burg për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, dënim që më pas ishte konvertuar në 60 orë punë në shërbim të publikut.
Përveç Qatos, Apeli shpalli të pafajshëm edhe:
- Simon Prendi
- Elona Gogo
- Erdit Salillari
- Admir Pahumi
- Nikollaq Mihali
- Miranda Shkurti
- Arbër Troka
- Almir Hoxhaj
- Arjana Hasani
Çështja lidhej me tenderin për ndërtimin e lotit 7 të rrugës Kardhiq-Delvinë, të hapur në vitin 2019, një projekt që përfshinte edhe tunelin e Skërficës me gjatësi rreth 1.3 kilometra, ku vlera e procedurës së prokurimit ishte rreth 23 milionë euro.
Hetimet nisën pas kallëzimit të kompanisë ‘Gjoka Construction’, e cila pretendoi se ishte skualifikuar padrejtësisht nga gara, ndërsa më herët shkeljet ishin evidentuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Sipas hetimeve të SPAK, zyrtarë të ARRSH-së dyshohej se kishin favorizuar bashkimin e operatorëve “Ircop” S.p.a., “Sulova Ndërtim Prodhim”, “Vega” dhe “A&E Engineering”. Po ashtu, hetimet pretendonin se skualifikimi i kompanisë me ofertën më të ulët i kishte shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej rreth 5 milionë eurosh.
Në dosje përmendej edhe kompania Vëllezërit Hysa, e cila sipas akuzës përdorte shoqërinë “Sulova Ndërtim Prodhim” për të marrë pjesë në tendera me identitete të ndryshme, duke shmangur kufizimet ligjore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)