Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas ndalimit të rreth 40 të rinjve shqiptarë nga policia e Maqedonisë së Veriut, të cilët sipas tij u mbajtën për afro 9 orë në pikat kufitare pa asnjë akuzë apo shpjegim zyrtar, në ditën kur në Shkup mbahej protesta e studentëve për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës.
Në një deklaratë në rrjetet sociale, Bardhi e cilësoi ngjarjen si “trajtim çnjerëzor” dhe “pengmarrje shtetërore”, duke dënuar mënyrën sesi autoritetet maqedonase trajtuan studentët shqiptarë që po udhëtonin për të mbështetur protestat në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në reagimin e tij, Bardhi akuzoi edhe qeverinë shqiptare për heshtje përballë ngjarjes.
“Asnjë reagim nga Qeveria Shqiptare. Asnjë reagim nga Ministria e Jashtme. Asnjë mbrojtje për qytetarët shqiptarë të poshtëruar dhe të keqtrajtuar në kufi”, deklaroi ai.
Sipas Bardhit, autoritetet shqiptare kanë qenë në dijeni të situatës, ndërsa pretendon se të rinjtë janë lëvizur nga kufiri me Shqipërinë drejt Kumanovës dhe më pas pranë kufirit me Serbinë, pa procedura normale dhe pa sqarime.
Ai kritikoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për mungesë reagimi në mbrojtje të qytetarëve shqiptarë.
“Kur bëhet fjalë për propagandë dhe samite rajonale, qeveria shqiptare është gjithmonë aktive. Por kur të rinjtë shqiptarë ndalohen dhe trajtohen në mënyrë poshtëruese në kufi, Tirana zyrtare hesht”, u shpreh Bardhi.
Deputeti demokrat e cilësoi situatën si një “braktisje të turpshme” të qytetarëve shqiptarë dhe kërkoi reagim institucional ndaj autoriteteve të Maqedonisë së Veriut.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)