Plani i Rritjes, BE shpërndan afro 160 mln euro për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi

Në total, vendi ynë ka përfituar deri tani mbi 212 milionë euro nga Komisioni Europian për hapat e ndërmarrë, Kosova ka marrë më herët një pagesë paraprake prej 61.8 milionë eurosh.

20.05.2026. 16:01

Plani i Rritjes, BE shpërndan afro 160 mln euro për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi

Bashkimi Europian ka disbursuar një këst të ri financiar në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke vënë në lëvizje rreth 158.9 milionë euro për tre vende të rajonit: Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Ky financim vjen si pjesë e mekanizmit të ri të BE-së që lidh drejtpërdrejt ndihmën ekonomike me ecurinë e reformave në secilin vend, duke synuar përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.

Shqipëria ka përfituar rreth 49 milionë euro në këtë fazë të shpërndarjes, pas një vlerësimi pozitiv nga Komisioni Europian për hapat e ndërmarrë në disa fusha kyçe. Sipas BE-së, progresi lidhet kryesisht me përmirësimin e klimës së biznesit, nxitjen e inovacionit dhe avancimin e proceseve të digjitalizimit.

Këto elementë konsiderohen thelbësorë për përafrimin e ekonomisë shqiptare me standardet e tregut evropian. Në total, Shqipëria ka përfituar deri tani mbi 212 milionë euro nga ky instrument, duke e bërë një nga përfitueset më aktive në rajon në aspektin e disbursimeve.

Edhe pse nuk është pjesë e këtij kësti të fundit, Kosova mbetet një nga vendet kryesore të Planit të Rritjes, me një angazhim të madh reformash të kërkuara nga BE. Kosova ka marrë më herët një pagesë paraprake prej 61.8 milionë eurosh, pasi përmbushi kushtet fillestare si nënshkrimi dhe ratifikimi i marrëveshjeve përkatëse me Bashkimin Europian.

Megjithatë, Komisioni Europian thekson se vendi duhet të përshpejtojë zbatimin e 111 masave reformuese, që përfshijnë fusha si sundimi i ligjit, administrata publike, ekonomia, tranzicioni i gjelbër dhe digjital. Sipas afateve të përcaktuara, një pjesë e këtyre reformave duhet të realizohet brenda këtij viti, ndërsa pjesa tjetër lidhet me pagesa të mëvonshme, që varen drejtpërdrejt nga progresi i arritur.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me një vlerë totale prej rreth 6 miliardë eurosh, konsiderohet nga BE si paketa më ambicioze financiare për rajonin. Ai kombinon grante dhe kredi të favorshme, me qëllim që vendet e Ballkanit Perëndimor të afrohen më shpejt me tregun e përbashkët evropian dhe të rrisin kapacitetet ekonomike e institucionale. Përmes këtij mekanizmi, Bashkimi Evropian synon jo vetëm mbështetje financiare, por edhe nxitjen e reformave strukturore, të cilat konsiderohen vendimtare për procesin e zgjerimit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)