Ishin nisur drejt Tiranës me furgon, kapen në Maqedoni gjysmë milioni euro

Paratë ishin fshehur në një hapësirë të modifikuar brenda mjetit, të ndara në 14 qese, me qëllim shmangien e kontrollit doganor.

20.05.2026. 16:47

Ishin nisur drejt Tiranës me furgon, kapen në Maqedoni gjysmë milioni euro

Një operacion i autoriteteve doganore në Maqedoninë e Veriut ka çuar në zbulimin dhe sekuestrimin e 500 mijë eurove cash, të fshehura në një minibus që po udhëtonte drejt Tiranës.

Sasia e konsiderueshme e parave u gjet gjatë kontrollit në pikën kufitare të Tabanocit, ndërsa në pranga përfundoi drejtuesi i automjetit, një shtetas shqiptar me inicialet XH.G.

Sipas autoriteteve maqedonase, paratë ishin fshehur në një hapësirë të modifikuar brenda mjetit, të ndara në 14 qese, me qëllim shmangien e kontrollit doganor. Në momentin e ndalimit, në minibus udhëtonin edhe shtatë pasagjerë të tjerë.

Drejtori i Doganës së Maqedonisë së Veriut, Boban Nikollovski, e cilësoi rastin si operacionin më të madh të këtij lloji në historinë e institucionit.

“Ky është sekuestrimi më i madh i parave cash në historinë e doganave tona. Përpjekja u parandalua falë një operacioni të mirëorganizuar të Departamentit Operativ në hyrje të pikës kufitare”, deklaroi Nikollovski.

Ndaj shoferit ka nisur procedimi penal për transport të paligjshëm të parave dhe dyshime për pastrim parash, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar si shumën e parave ashtu edhe automjetin që përdorej për transportin e tyre.

Hetimet vijojnë për të zbuluar origjinën e parave, destinacionin përfundimtar dhe persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet të dyshuar kriminal.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)