Tensione janë shënuar këtë të martë në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pak orë para protestës së paralajmëruar të studentëve shqiptarë në Shkup për të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në universitete.
Një autobus me studentë shqiptarë, që ishte nisur drejt kryeqytetit maqedonas për t’iu bashkuar protestës, është ndaluar në pikën kufitare të Bllatës në Dibër. Sipas organizatorëve, autoritetet maqedonase nuk kanë dhënë shpjegime konkrete për moslejimin e hyrjes, ndërsa pala kosovare është njoftuar se shkak është bërë një problem me sistemin e regjistrimit në kufi.
Sakaq, kryetari i protestës studentore, Mevlan Ademi, reagoi ashpër ndaj situatës, duke kërkuar lejimin e menjëhershëm të studentëve shqiptarë që ndodhen të bllokuar në kufi. Ai paralajmëroi se nëse nuk do të ketë reagim të shpejtë nga institucionet, studentët do të marshojnë drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup.
“Lëshoni menjëherë vëllezërit tanë shqiptarë të ndaluar në pikën kufitare. Kërkojmë veprim të menjëhershëm dhe lejim të hyrjes së tyre pa vonesë. Nëse nuk ka ndërhyrje të shpejtë dhe zgjidhje urgjente, do të detyrohemi të marshojmë drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme”, deklaroi Ademi.
Protesta e studentëve shqiptarë pritet të nisë në orën 16:30 në Shkup dhe vjen si vazhdim i kërkesave për lejimin e zhvillimit të provimeve në gjuhën shqipe, veçanërisht nga studentët e Fakultetit Juridik. Sipas tyre, kjo e drejtë buron nga Marrëveshja e Ohrit dhe garantohet me Kushtetutë, por ende nuk po zbatohet në praktikë.
Organizatorët kanë zhvilluar takime koordinuese në disa qytete si Kumanova, Tetova, Struga dhe Shkupi. Protesta e parë u mbajt më 6 prill në Shkup dhe përfundoi para Ministrisë së Drejtësisë, por studentët thonë se deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete nga autoritetet maqedonase lidhur me kërkesat e tyre.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)