Bebe Rexha mbështet studentët shqiptarë në Maqedoni: Shqipja është identiteti ynë!

Studentët shqiptarë kanë paralajmëruar një tjetër protestë më 18 maj, duke kërkuar që provimet të zhvillohen në gjuhën amtare, në përputhje me statusin zyrtar që gjuha shqipe ka në vend.

17.05.2026. 17:18

Bebe Rexha mbështet studentët shqiptarë në Maqedoni: Shqipja është identiteti ynë!

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, i është bashkuar zërave që kërkojnë respektimin e të drejtave të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, artistja ka shprehur mbështetjen e saj për protestat e studentëve, të cilët kundërshtojnë moslejimin e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Studentët shqiptarë kanë paralajmëruar një tjetër protestë më 18 maj, duke kërkuar që provimet të zhvillohen në gjuhën amtare, në përputhje me statusin zyrtar që gjuha shqipe ka në vend.

Në mesazhin e saj, Rexha thekson rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe identitetit kombëtar.

“Gjuha jonë shqipe është thellësisht e rrënjosur në identitetin tonë. Për breza me radhë, ne kemi luftuar për ta ruajtur dhe mbajtur gjallë.

Maqedonia e Veriut është një shtet multietnik i ndërtuar mbi bashkëjetesën dhe të drejtat e barabarta për të gjitha komunitetet e saj, ku gjuha shqipe njihet si gjuhë bashkëzyrtare. Studentët po protestojnë kundër ndalimit të dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe këtë të hënë.

Studentët shqiptarë meritojnë të njëjtat të drejta dhe mundësi si të gjithë të tjerët”, shkroi artistja.

Kujtojmë se protesta e fundit e studentëve u mbajt më 6 prill në Shkup, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se do të vazhdojnë reagimet publike deri në zbatimin praktik të së drejtës për t’iu nënshtruar provimeve në gjuhën shqipe, një e drejtë që sipas tyre garantohet nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi në vend.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)