Vdekja e aktorit Matthew Perry, dënohet me 2 vite burg ndërmjetësi i drogës

Erik Fleming, ish-producent në Hollywood, shërbeu si ndërmjetës në sigurimin e ketaminës për aktorin, i cili ndërroi jetë në xhakuzin e shtëpisë së tij në Los Angeles, në tetor 2023.

14.05.2026. 22:38

Vdekja e aktorit Matthew Perry, dënohet me 2 vite burg ndërmjetësi i drogës

Një gjykatë federale në Los Angeles ka dënuar me dy vite burg Erik Fleming, personi që shërbeu si ndërmjetës në sigurimin e ketaminës për aktorin Matthew Perry, i cili ndërroi jetë në tetor 2023. Aktori ishte mjaft i njohur për rolin e Chandler Bing në serialin “Friends”.

Fleming, 55 vjeç dhe ish-producent në Hollywood, kishte pranuar fajësinë në vitin 2024, duke deklaruar se kishte blerë rreth 50 shishe ketamine nga një shpërndarës droge dhe më pas ia kishte dorëzuar ato asistentit personale të aktorit. Sipas hetuesve, pikërisht asistenti i Perry-t dyshohet se i ka administruar aktorit dozat e substancës në ditët para vdekjes së tij.

Përveç dënimit me burg, Fleming është dënuar edhe me tre vite mbikëqyrje pas lirimit dhe një gjobë prej 200 dollarësh. Prokuroria kishte kërkuar një dënim më të rëndë, prej dy vitesh e gjysmë heqje lirie. Matthew Perry u gjet i pajetë më 28 tetor 2023 në xhakuzin e shtëpisë së tij në Los Angeles. Aktori 54-vjeçar dyshohet se ka vdekur pas disa dozave të ketaminës të administruara në ditët para ngjarjes tragjike.

Në hetim përmendet edhe emri i Jasveen Sangha, e dyshuar si furnizuese e substancës së përdorur. Ngjarja ka rikthyer në vëmendje betejën e gjatë të Perry-t me varësinë, të cilën ai e kishte bërë publike gjatë viteve, mes trajtimeve dhe rikthimeve të përsëritura. Vdekja e tij tronditi Hollywood-in dhe miliona fansa në mbarë botën.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)