Goditi me gur një fokë të rrallë, turisti amerikan arrestohet në Hawaii

Ka shkelur ligjet federale për mbrojtjen e specieve të rrezikuara dhe gjitarëve detarë. Nëse shpallet fajtor, rrezikon deri në një vit burg dhe gjobë deri në 70 mijë dollarë.

14.05.2026. 22:22

Goditi me gur një fokë të rrallë, turisti amerikan arrestohet në Hawaii

Një turist amerikan është arrestuar në Hawaii pasi u filmua duke hedhur një gur të madh ndaj një foke murgeshë havaiane, një nga speciet më të rrezikuara në botë. Ngjarja, e regjistruar nga një dëshmitare në një plazh të ishullit Maui, shkaktoi zemërim të madh në rrjetet sociale. Pas publikimit, video u transmetua edhe nga mediat lokale dhe kombëtare amerikane.

38-vjeçari Igor Mykhaylovych Lytvynchuk, banues në Covington të shtetit Washington, akuzohet për keqtrajtim të një specie të mbrojtur. Ai u arrestua pranë Seattle nga agjentët e NOAA-s, agjencia federale amerikane që merret me mbrojtjen e faunës detare. Sipas autoriteteve, ai ka shkelur ligjet federale për mbrojtjen e specieve të rrezikuara dhe gjitarëve detarë. Nëse shpallet fajtor, rrezikon deri në një vit burg dhe gjobë deri në 70 mijë dollarë.

Incidenti ndodhi 10 ditë më parë në Lahaina, në ishullin Maui, zonë e goditur rëndë nga zjarret shkatërruese të vitit 2023. Në video shihet turisti duke marrë një gur të madh, “me përmasat e një are kokosi”, të cilin më pas e hodhi drejt fokës. Guri, sipas hetuesve, kaloi pranë kokës së kafshës. Autoritetet thanë se kur iu kërkua shpjegim për veprimin e tij, burri u përgjigj se ishte “mjaftueshëm i pasur për të paguar çdo gjobë”.

Foka e përfshirë në incident njihet me emrin “Lani” dhe është shumë e dashur nga banorët e Maui-t. Ajo monitorohet vazhdimisht nga autoritetet dhe është kthyer në simbol të rimëkëmbjes së Lahainës pas zjarreve të mëdha. Kryetari i bashkisë së Maui-t, Richard Bissen, deklaroi se arrestimi është një mesazh i qartë kundër dhunës ndaj kafshëve të mbrojtura.

Ai shtoi se rikthimi i fokës në brigjet e Lahainës pas zjarreve kishte marrë një domethënie të veçantë për komunitetin lokal. Fokat murgeshë havaiane konsiderohen ndër gjitarët detarë më të kërcënuar në botë. Sipas autoriteteve amerikane, në natyrë kanë mbetur vetëm rreth 1.600 ekzemplarë dhe specia jeton ekskluzivisht në arkipelagun havaian.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)