Puna tradicionale drejt zhdukjes: Zyrat e vitit 2050, mes inteligjencës artificiale dhe realitetit virtual

Modeli i punës 9 me 5 dhe udhëtimet e përditshme drejt zyrës mund të zhduken gradualisht. Në vend të tyre pritet të konsolidohet puna hibride dhe sistemi i punës në disa vende të ndryshme, me më pak varësi nga një zyrë qendrore.

14.05.2026. 21:58

Puna tradicionale drejt zhdukjes: Zyrat e vitit 2050, mes inteligjencës artificiale dhe realitetit virtual

Një studim ndërkombëtar parashikon transformimin e thellë të botës së punës deri në vitin 2050, ku teknologjitë e reja pritet të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si funksionon një zyrë dhe si organizohet puna e përditshme. Sipas kërkimit, ambientet e punës do të bëhen gjithnjë e më digjitale dhe interaktive, me sipërfaqe inteligjente të lidhura me cloud-in, sisteme ndriçimi që përshtaten automatikisht me ritmin biologjik të punonjësve dhe teknologji që mund të monitorojnë lodhjen për të sugjeruar pushime.

Në skenarët më të avancuar përmenden edhe ndërfaqet neurale, që mund të lidhin drejtpërdrejt trurin e njeriut me pajisjet elektronike. Inteligjenca Artificiale pritet të ketë rol qendror në këtë transformim, duke automatizuar shumë procese dhe duke ndikuar edhe në mënyrën e bashkëpunimit mes punonjësve.

Ajo do të ndihmojë në organizimin e detyrave, përshpejtimin e vendimmarrjes dhe zhvillimin më të shpejtë të aftësive profesionale, duke i lënë më shumë hapësirë punës krijuese dhe strategjike. Studimi thekson gjithashtu se modeli tradicional i punës 9 me 5 dhe udhëtimet e përditshme drejt zyrës mund të zhduken gradualisht. Në vend të tyre pritet të konsolidohet puna hibride dhe sistemi i punës në disa vende të ndryshme, me më pak varësi nga një zyrë qendrore.

Pavarësisht zhvillimeve teknologjike, ekspertët parashikojnë se fokusi do të zhvendoset edhe te mirëqenia e punonjësve. Zyrat e së ardhmes pritet të jenë më të orientuara drejt njeriut, me hapësira më fleksibël, elemente natyrore dhe theks më të madh te balanca mes jetës profesionale dhe asaj private, që shihet si faktor kyç për produktivitetin dhe mbajtjen e punonjësve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)