Ajo që nisi si një pasion i pazakontë pas shikimit të një dokumentari për nëndetëset ushtarake, u kthye në një projekt të vërtetë për një fermer nga Kina. Zhang Shengwu, ish-punëtor në kantieret detare lumore, vendosi të ndërtojë vetë një nëndetëse elektrike, edhe pse shumë njerëz e konsideruan idenë e tij të pamundur.
“Thashë me vete, nëse të tjerët munden, atëherë mundem edhe unë”, deklaroi ai për mediat lokale. Investimi i parë ishte vetëm 5 mijë juanë, rreth 600 dollarë, të cilat i përdori për të blerë pllaka çeliku, motorë të përdorur dhe materiale izoluese. Prototipi i parë u testua në vitin 2016, por hasi probleme serioze me depërtimin e ujit.
Megjithatë, Zhang nuk hoqi dorë. Ai ridizenjoi të gjithë strukturën dhe investoi edhe 40 mijë juanë të tjera për ta përmirësuar projektin. Kështu lindi “Big Black Fish” ose “Peshku i Zi”, një nëndetëse artizanale pesëtonëshe me tanke balasti dhe dy tonë beton për stabilitet.
Testet në një lumë pranë zonës ku jeton rezultuan të suksesshme. Nëndetësja mund të transportojë dy persona, të zhytet deri në tetë metra thellësi dhe të qëndrojë nën ujë për rreth 30 minuta. Ajo funksionon me bateri elektrike dhe arrin shpejtësi rreth katër nyje.
Mediat kineze raportojnë se fermeri tashmë po punon për një version më të avancuar, i cili do të ketë sistem pastrimi oksigjeni dhe periskop me shikueshmëri deri në dy kilometra.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)