Rama: Shqipëria më pranë se kurrë BE-së, reforma në drejtësi garanci për shtetin ligjor

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po kalon një moment kyç në rrugëtimin e saj europian, ndërsa theksoi se marrëdhënia me Bashkimin Europian është sot më e afërt se kurrë më parë.

10.05.2026. 10:24

Rama: Shqipëria më pranë se kurrë BE-së, reforma në drejtësi garanci për shtetin ligjor

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po kalon një moment kyç në rrugëtimin e saj europian, ndërsa theksoi se marrëdhënia me Bashkimin Europian është sot më e afërt se kurrë më parë. Në komunikimin e tij të fundjavës, kreu i qeverisë foli për avancimin e negociatave me BE-në.

Rama hodhi poshtë pretendimet se procesi i negociatave është bllokuar, duke nënvizuar se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në hapjen e kapitujve dhe në përmbushjen e detyrimeve ndaj Bashkimit Europian.

“Për herë të parë pas shumë dekadash, rruga drejt Bashkimit Europian nuk duket më si një horizont i largët, por si një majë tanimë e kapshme me sy dhe e arritshme në kohën që kemi në dispozicion”, u shpreh Rama.

Sipas tij, negociatat kanë avancuar me ritëm të shpejtë dhe Shqipëria ndodhet tashmë në një fazë të rëndësishme të procesit integrues.

“Negociatat kanë avancuar me ritëm, kapitujt janë hapur në kohë rekord, marrëdhënia me Bashkimin Europian ndërtohet ditë pas dite me rezultate konkrete”, tha kryeministri.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te zhvillimi në Tiranë i sesionit hapës të Kongresit Botëror të Ligjit, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e drejtësisë dhe shtetit ligjor. Rama theksoi se përzgjedhja e Shqipërisë për këtë aktivitet lidhet drejtpërdrejt me reformën në drejtësi dhe angazhimin për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.

“Kemi marrë një vendim historik për të ndarë politikën nga drejtësia, për të ndarë pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ nga pushteti i drejtësisë”, deklaroi ai.

Rama shtoi se reforma në drejtësi mbetet një proces i pakthyeshëm dhe se institucionet e reja duhet të mbështeten për të garantuar barazinë para ligjit dhe funksionimin e shtetit demokratik.

“Kjo është një përpjekje e madhe dhe e përbashkët për të garantuar një drejtësi të barabartë dhe të drejtë me të gjithë”, tha kryeministri.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)