Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë një aksion kontrollesh të papritura në institucionet e vuajtjes së dënimit në Fier, Vlorë dhe Peqin, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë në burgje.
Operacioni është zhvilluar nën drejtimin e kreut të Burgjeve, Adriatik Kupi, dhe Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet janë kryer nga forcat operacionale të Policisë së Burgjeve dhe kanë pasur si objektiv evidentimin e sendeve të ndaluara brenda qelive dhe ambienteve të paraburgimit.
Gjatë verifikimeve janë gjetur dhe sekuestruar aksesorë komunikimi që konsiderohen shkelje penale, mjete prerëse të improvizuara, si dhe sende të tjera të palejuara.
Për çdo rast të konstatuar është vënë në dijeni Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, i cili do të ndjekë procedurat ligjore dhe administrative përkatëse.
Në deklaratën e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se kontrollet do të vijojnë në të gjitha institucionet penitenciare në vend, duke paralajmëruar masa të forta dhe tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje të sigurisë dhe disiplinës në burgje.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)