Autoritetet greke e kanë asgjësuar dronin detar të mbushur me eksploziv, i cili u zbulua nga peshkatarët në Detin Jon pranë ishullit Lefkada.
Sipas mediave greke, mjeti pa pilot dyshohet të jetë i prodhimit ukrainas dhe u gjet pranë një shpelle me motorin ende në punë. Ekspertët grekë të çminimit hoqën detonatorët dhe baterinë, ndërsa më pas kryen një shpërthim të kontrolluar në det pranë Astakosit.
Dyshohet se droni mbante rreth 100 kilogramë eksploziv. Autoritetet greke dhe ekipet ushtarake po hetojnë origjinën dhe qëllimin e tij, ndërsa mediat raportojnë se në bord janë gjetur shënime të shkruara në gjuhën ukrainase.
Sipas raportimeve, bëhet fjalë për një dron tip “Magura”, i përdorur nga Ukraina në sulmet ndaj objektivave ruse në Detin e Zi që prej nisjes së luftës me Rusinë në vitin 2022.
Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë detare të Greqisë dhe përhapjen e teknologjive të reja ushtarake në Mesdhe. Opozita greke ka kritikuar autoritetet për mungesë përgatitjeje, ndërsa qeveria ka minimizuar incidentin duke deklaruar se situata është nën kontroll.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)