Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nisur lëvizjet e para politike për zgjedhjet e 7 qershorit, duke konfirmuar bashkëpunimin me ish-deputeten Jeta Statovci, e cila më herët ishte pjesë e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes përmes partisë Guxo.
Përmes një reagimi publik, Osmani bëri të ditur se ajo dhe Statovci do të vazhdojnë së bashku rrugëtimin politik drejt Kuvendit të Kosovës. Ajo theksoi se bashkëpunimi i tyre bazohet te vlerat e përbashkëta politike dhe nevoja për “ndryshim dhe ringritje” kur këto parime devijojnë.
Jeta Statovci mori mandatin e parë si deputete në moshën 26-vjeçare dhe arriti të rizgjidhet edhe tri herë të tjera në Kuvend.
Ndërkohë, nga Lidhja Demokratike e Kosovës është konfirmuar se Vjosa Osmani do të jetë pjesë aktive e garës elektorale në bashkëpunim me këtë forcë politike. Ende nuk janë bërë publike detajet e marrëveshjes, përfshirë nëse Osmani do të udhëheqë listën zgjedhore apo sa kandidatë do të përfaqësojnë grupimin e saj politik.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se Osmani mbetet një nga emrat më të përshtatshëm për postin e presidentes së Kosovës edhe pas zgjedhjeve.
Pas konstituimit të Kuvendit të ri, një nga çështjet e para që pritet të trajtohet do të jetë zgjedhja e presidentit të ardhshëm të vendit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)