E rëndë në Kosovë, gruaja lind në tualetin e spitalit, e hedh foshnjën në kosh

Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt ka bërë të ditur detajet lidhur me ngjarjen e ndodhur në ambientet e Shërbimit Emergjent, ku pacientja është paraqitur në spital me ankesa për obstipacion dhe në një moment ka hyrë në tualet duke sjellë jetë foshnjen e saj, të cilën më pas e ka braktisur.

07.05.2026. 13:25

E rëndë në Kosovë, gruaja lind në tualetin e spitalit, e hedh foshnjën në kosh

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Ferizaj, ku një foshnjë e porsalindur ka humbur jetën pasi dyshohet se u hodh në koshin e mbeturinave nga nëna e saj menjëherë pas lindjes.

Sipas njoftimit zyrtar të Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt, ngjarja ka ndodhur më 6 maj 2026 në ambientet e Shërbimit Emergjent. Spitali bën me dije se gruaja ishte paraqitur fillimisht me ankesa për kapsllëk.

“Pacientja është paraqitur në spital me ankesa për obstipacion (kapsllëk) dhe, në një moment, ka hyrë në tualet duke e mbyllur derën”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Sipas spitalit, stafi mjekësor ka ndërhyrë pasi ka dëgjuar zërin e një foshnje nga brenda tualetit.

“Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike”, thuhet më tej në njoftim.

Menjëherë pas konstatimit të rastit, mjekët kanë nisur procedurat emergjente për shpëtimin e foshnjës dhe trajtimin e nënës.

“Ekipi multidisiplinar, me përfshirjen edhe të anesteziologut, ka filluar menjëherë të gjitha procedurat reanimatore”, deklaron spitali.

Pavarësisht ndërhyrjes së stafit mjekësor, foshnja nuk ka arritur të mbijetojë.

“Foshnja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore nga ekipi multidisiplinar i spitalit. Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe trajtimit intensiv nga personeli mjekësor, foshnja ka ndërruar jetë”, thuhet në reagim.

Lidhur me ngjarjen janë njoftuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)