Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar mundësinë e bashkëpunimit politik mes ish-presidentes Vjosa Osmani dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në zgjedhjet e 7 qershorit.
I pyetur nga gazetarët se “sa i rrezikshëm është binomi Osmani-Abdixhiku për Vetëvendosjen”, Kurti u shpreh se ambiciet politike janë normale, por theksoi se vendimin final e merr qytetari.
“Të gjithë që kanë ambicie politike, duan pushtet, kanë vizion e ide për të mirën e qytetarëve, le të angazhohen dhe iu dëshiroj sukses. Por duhet ta keni parasysh që për këtë gjë nuk vendos asnjë kryetar partie apo pretendues për poste, për këtë vendos populli”, deklaroi Kurti.
Ai rikujtoi rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke theksuar mbështetjen që mori Lëvizja Vetëvendosje. “Mos harroni si ka vendosur populli para katër muajsh. Populli ia dha Vetëvendosjes 51.1%, jo 50%, 51. Jo 51, por 51.1%”, tha kryeministri në detyrë.
Kurti përmendi gjithashtu edhe mbështetjen nga deputetët e komuniteteve joshumicë, ndërsa i dërgoi mesazh të koduar Osmanit, kur tha se “njerëzit kanë dëshira dhe kjo është normale, por s’duhet të ngatërrohen dëshirat me faktet”.
I pyetur për pritshmëritë në zgjedhjet e 7 qershorit, Kurti deklaroi se mbetet për t’u parë rezultati final, ndërsa akuzoi opozitën se është përpjekur të pengojë rritjen e Vetëvendosjes.
“Besoj që qytetarët e kanë kuptuar se sa herë përpiqesh t’ia vësh digën një rrjedhjeje socio-historike e politike siç është Lëvizja Vetëvendosje, atëherë do të ketë gjithnjë e më shumë prurje. Sa herë na kanë vu diga, është rritur prurja. E tash sa do të jetë, do ta marrim vesh në mbrëmjen e 7 qershorit”, u shpreh ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)