Zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë, KQZ: Në garë 22 parti dhe 3 koalicione, 9 subjekte nuk marrin pjesë

Afati për aplikim për certifikim të subjekteve të reja politike, përfshirë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, ka nisur më 2 maj dhe përfundon në datën 10 maj.

08.05.2026. 13:55

Zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë, KQZ: Në garë 22 parti dhe 3 koalicione, 9 subjekte nuk marrin pjesë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se 3 koalicione janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor. Ato përbëhen në total nga 22 parti politike. Afati për njoftimin e pjesëmarrjes ose mospjesëmarrjes në zgjedhje, si dhe për krijimin e koalicioneve, përfundoi mesnatën e datës 7 maj.

Ky proces u aplikua për 53 partitë politike që janë aktualisht të regjistruara në regjistrin zyrtar të subjekteve politike në Kosovë. Sipas KQZ-së, deri në mbyllje të afatit janë pranuar njoftime për pjesëmarrje nga 22 parti, ndërsa janë regjistruar edhe 3 koalicione të përbëra nga gjithsej 9 parti politike. Ndërkohë, 9 parti kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje.

Mes partive që kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë: Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Srpska Lista, Partia Socialdemokrate, si dhe disa subjekte të komuniteteve jo-shumicë. Ndër koalicionet e regjistruara janë edhe ato të subjekteve boshnjake dhe ashkalinj, si dhe koalicioni i përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane.

Në listën e partive që kanë njoftuar mospjesëmarrjen përfshihen, mes të tjerash, Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Nisma Socialdemokrate. KQZ sqaron se njoftimi për pjesëmarrje është një procedurë e ndryshme nga procesi i certifikimit dhe dorëzimit të listave të kandidatëve.

Foto: KQZ Kosovë

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se afati për aplikim për certifikim të subjekteve të reja politike, përfshirë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, ka nisur më 2 maj dhe përfundon në datën 10 maj. Ai theksoi se partitë politike të regjistruara konsiderohen automatikisht të certifikuara, ndërsa certifikimi do të vlejë vetëm për subjektet e reja.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)