Lirimi i ish-drejtoreshës së AKSHI, Berisha akuzon Ramën: U nxor nga arresti me urdhër politik

Sipas liderit demokrat, Mirlinda Karçanaj ka lejuar që nga ajo agjenci të vidhen të paktën 600 milionë euro, të cilat pretendon se janë përvetësuar në mënyra të ndryshme nga çifti Rama.

08.05.2026. 13:32

Lirimi i ish-drejtoreshës së AKSHI, Berisha akuzon Ramën: U nxor nga arresti me urdhër politik

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka ndikuar drejtpërdrejt në lirimin nga arresti i shtëpisë së ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Në një konferencë për shtyp nga selia e PD-së, Berisha deklaroi se vendimi për lirimin e saj është marrë për arsye politike dhe përbën një tjetër dëshmi të ndikimit të qeverisë mbi sistemin e drejtësisë.

Ai e cilësoi Karçanajn si “Balluku bis”, duke pretenduar se ajo është pjesë e një rrethi të ngushtë të lidhur me pushtetin. “Jam këtu për të dënuar kontrollin e plotë të drejtësisë nga Edi Rama... Mirlinda Karçanaj është Balluku bis”, u shpreh Berisha, duke shtuar se lirimi i saj është realizuar “me urdhër të Ramës”.

Sipas liderit demokrat, ish-drejtoresha e AKSHI-t dyshohet se ka qenë e përfshirë në një skemë abuzimi me fondet publike, ku përmendi shifra të mëdha financiare dhe pretendoi se janë përdorur ndërmjetës të ndryshëm për përvetësimin e parave. Berisha deklaroi gjithashtu se gjatë hetimeve paraprake janë konstatuar pasuri të shumta në emër të Karçanajt, përfshirë disa vila, apartamente, toka dhe automjete luksoze.

“Mirlinda kishte vila, apartamente, ara dhe ullishte, kishte edhe makinë luksoze… dhe këto janë vetëm hetimet paraprake. Edi Rama pasi mbylli çështjen Balluku, duke përdorur 83 votat e krimit, ia doli të nxjerrë nga arresti shtëpiak një eksponent të grupit të strukturuar kriminal. E bëri vetëm e vetëm se ajo në çdo hap, në çdo veprim, në çdo akt ka zbatuar urdhrat, kërkesat e Lindës së Surrelit. Ka qenë në njëfarë mënyre një kukull në duart e saj dhe ka lejuar që nga ajo agjenci të vidhen të paktën 600 milionë euro, të përvetësohen në mënyra të ndryshme nga çifti Rama duke përdorur si agjent në këtë rast Armand Frangun, baxhanakun e Ramës, por jo më pak edhe Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin”, tha ai.

Berisha e cilësoi lirimin e Mirlinda Karçanaj si një goditje të rëndë ndaj drejtësisë dhe një mesazh të rrezikshëm për luftën kundër korrupsionit. “Ky akt i shëmtuar është goditja më e rëndë që i jepet sistemit të drejtësisë, është shpërblimi më i tmerrshëm që u bëhet hajdutëve që vjedhin për llogari të Edi Ramës. Mirlinda Karçanaj, një ditë prej ditësh, u mor në një mbrojtje nga Edi Rama, që sipas këtij hajduti gënjeshtar jetonte në një shtëpi me qira dhe nuk kishte as makinë, madje nuk dinte as ta ngiste”, përfundoi ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)