Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend një paketë amendamentesh për ndryshime në Kodin Rrugor, të hartuara nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputeti Erion Braçe. Propozimet synojnë rritjen e sigurisë rrugore dhe ashpërsimin e masave ndaj shkeljeve të rënda.
Për shkak se një pjesë e aksidenteve, duke përfshirë edhe ato më tragjiket, shkaktohen nga përdorimi i alkoolit, ndryshimi më i ashpër lidhet pikërisht me këtë fenomen. Në draft është propozuar që në rastet kur një shofer kapet me mbi 0.5 g/l alkool në gjak dhe rezulton përsëritës, ai do të humbasë patentën përgjithmonë.
Gjithashtu, drejtuesit e mjeteve që kapen duke drejtuar pa leje drejtimi nuk do të pajisen me patentë për një periudhë 1-vjeçare, përveç përgjegjësive të tjera penale. Për të miturit, e drejta për të marrë patentën shtyhet me dy vite pas plotësimit të moshës së lejuar, duke e çuar praktikisht në moshën 20 vjeç për pajisjen e parë me leje drejtimi.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm në draft lidhet me shoferët fillestarë: gjatë vitit të parë të pajisjes me patentë, drejtimi i mjetit duhet të bëhet me zero alkool në gjak. Nëse nuk kryen shkelje gjatë kësaj periudhe, kufizimet hiqen automatikisht, ndërsa në rast të dy shkeljeve, periudha e provës zgjatet edhe me një vit tjetër.
Propozimi parashikon gjithashtu kufizime për shoferët e rinj deri në dy vite eksperiencë, të cilët nuk do të lejohen të drejtojnë automjet nga ora 24:00 deri në 06:00 të mëngjesit pa shoqërimin e një drejtuesi me të paktën tre vite eksperiencë.
Në lidhje me shpejtësinë, propozohet që kufiri maksimal të jetë 90 km/h në autostrada dhe 80 km/h në rrugët jashtë qendrave të banuara, me gjoba nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim patente për një muaj dhe heqje pikësh. Po ashtu, ndalohet përdorimi i celularit për drejtuesit e biçikletave dhe motorëve elektrikë gjatë lëvizjes.
Ndryshimet e propozuara nga PS:
-Nëse kapesh pa patentë në timon, për 1 vit nuk pajisesh dot me patentë (plus përgjegjësive sipas legjislacionit penal në fuqi)
-Nëse je i mitur (pra që nuk e ke marrë patentën asnjëherë), do e marrësh patentën 2 vite pasi të mbushësh moshën për ta marrë ata, pra jo 18 por 20 vjec do bëhesh për herë të parë me patentë
-Nëse je në vitin e parë të patentës, duhet ta drejtosh makinën me 0 alkol.
-shpejtësia maksimale 90 km/h në autostradë, 80 në rrugët e tjera jashtë qendrave të banuara (ndëshkimi, gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë (pezullohet patenta 1 muaj dhe hiqen pikë sipas akteve nënligjore në fuqi)
- Shoferët e rinj (Deri 2 vite) s’lejohet të drejtojnë mjet në orarin 24:00-06:00 pa një të rritur me patentë prej të paktën 3 vitesh
-Nëse në 1 vit nuk bën shkelje, këto kufizime për shoferin “1-vjeçar” bien.
-Nëse bën 2 shkelje gjatë kësaj faze testi, periudha e provës të zgjatet edhe me 1 vit (pra nisin sërish kufizimet)
Ndalohet përdorimi i celularit për biçikletat dhe motorët elektrikë
Kush kapet në timon me vlerë të alkoolit më shumë se 0.5 g/l në gjak, dhe është ndëshkuar më parë për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkolit dhe e përsërit i hiqet përgjithmonë patenta.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)