“Djalin nuk e prekni në shtëpinë tonë”, biznesmeni në Sarandë u vra pasi ndërhyri të shmangte tentativën e rrëmbimit

Një grup prej të paktën 5-6 personash ka shkuar në vendngjarje me qëllimin për të konfliktuar me një tjetër person që ndodhej në lokal, madje dyshohet se situata ka nisur si tentativë për rrëmbim.

08.05.2026. 10:47

“Djalin nuk e prekni në shtëpinë tonë”, biznesmeni në Sarandë u vra pasi ndërhyri të shmangte tentativën e rrëmbimit

Zbardhet dinamika e ngjarjes së rëndë në Sarandë, ku 66-vjeçari Rexhep Ismaili mbeti i vrarë në ambientet e lokalit dhe karburantit të tij në fshatin Gjashtë. Në dritë kanë dalë detaje të reja, të cilat konfirmojnë se kryetari i degës lokale të Shoqatës Patriotike “Çamëria” nuk kishte konflikt personal, por ndërhyri për të mbrojtur një klient.

Sipas burimeve hetimore dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, një grup prej të paktën 5-6 personash ka shkuar në vendngjarje me qëllimin për të konfliktuar me një tjetër person që ndodhej në lokal, madje dyshohet se situata ka nisur si tentativë për rrëmbim. Në këtë moment, Rexhep Ismaili ka ndërhyrë duke deklaruar: “Djali është në shtëpinë tonë, nuk e prekni dot këtu”. Ky qëndrim i viktimës ka çuar në përshkallëzimin e menjëhershëm të konfliktit. Gjatë përplasjes, situata ka dalë jashtë kontrollit dhe janë përdorur armë zjarri.

Sipas hetimeve paraprake, pas vrasjes së Rexhep Ismailit, një person i ndodhur në ambientet e lokalit ka hapur zjarr në drejtim të Lulëzim Tabakut dhe një tjetër personi që shoqëronte grupin. Dyshohet se gjatë shkëmbimit të zjarrit është plagosur një person, i cili nuk është paraqitur në spital dhe është larguar së bashku me autorin e dyshuar, Lulëzim Tabaku, i cili aktualisht është në kërkim. Ndërkohë, në vendngjarje ka mbetur edhe një automjet tip “Audi” ngjyrë e zezë, i cili dyshohet se i përket autorëve dhe është sekuestruar si provë materiale.

Foto ilustruese

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 në kryqëzimin e njohur si “Qafa e Gjashtës”, pranë karburantit në pronësi të familjes Ismaili. Viktima ka ndërruar jetë në vend si pasojë e plagës së marrë me armë zjarri. Policia ka ngritur pika kontrolli në zonë dhe po vijon kontrollet në spitale dhe klinika private për identifikimin e të plagosurit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)