Seancë maratonë në Kuvend: Miratohet akti normativ për akcizën e naftës, rrëzohen propozimet e PD

Pavarësisht kërkesave të opozitës gjatë gjithë ditës për praninë e kryeministrit, Rama mbërriti në Kuvend vetëm pas mesnate për votimet.

08.05.2026. 08:26

Seancë maratonë në Kuvend: Miratohet akti normativ për akcizën e naftës, rrëzohen propozimet e PD

Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi një seancë të gjatë plenare, e cila u mbyll pas mesnate me procesin e votimit, ku kryeministri Edi Rama mbërriti vetëm në fund të seancës. Me 85 vota pro dhe 25 kundër, mazhoranca socialiste miratoi aktin normativ për uljen e akcizës së naftës, në një kohë kur çmimi i karburantit ka kaluar 220 lekë për litër.

Në të njëjtën kohë, u rrëzuan propozimet e Partisë Demokratike, e cila kërkonte masa të tjera për uljen e çmimit të naftës. PD propozoi përmes projektligjeve reduktimin e taksës së qarkullimit, uljen e akcizës mbi naftën, si dhe zerimin e akcizës së gazit për industrinë prodhuese “Made in Albania”, por këto iniciativa nuk morën mbështetjen e shumicës.

Seanca plenare nisi me një minutë heshtje në nderim të ish-Kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili u nda nga jeta. Gjatë punimeve u zhvilluan interpelanca të kërkuara nga deputetët demokratë me kryeministrin Rama, por ai nuk ishte i pranishëm dhe përfaqësimi iu delegua Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili.

Pavarësisht kërkesave të opozitës gjatë gjithë ditës për praninë e kryeministrit, Rama mbërriti në Kuvend vetëm pas mesnate për votimet. Në seancë u zhvillua gjithashtu interpelanca me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, si dhe një seancë pyetje-përgjigje me Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja e kërkuar nga deputetja Ina Zhupa.

Në përfundim të seancës, Kuvendi miratoi katër projektligje, një akt normativ dhe gjashtë projektvendime. Ndërkohë, u miratua edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 2 në kuadër të programit IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi-Shqipëri 2021-2027, me 108 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)