Autoritetet shëndetësore ndërkombëtare po hetojnë shpërthimin e rasteve me Hantavirus në bordin e anijes turistike “Mv Hondius”, ndërsa po gjurmohen kontaktet e të gjithë pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit. Anija kishte zhvilluar udhëtime në disa ishuj të Oqeanit Atlantik, ku pasagjerët ishin angazhuar në aktivitete turistike si vrojtimi i shpendëve.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rreziku global mbetet i ulët dhe aktualisht nuk ka tregues se situata mund të shndërrohet në pandemi. Numri i rasteve të konfirmuara ka arritur në tetë, ndërsa tre persona me simptoma janë evakuuar drejt Holandës për trajtim mjekësor. Gjithashtu, një rast tjetër është raportuar në Argjentinë, por nuk është lidhur ende me shpërthimin në anije.
Autoritetet po punojnë për të identifikuar burimin e infeksionit, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka shtuar masat në pikat kufitare dhe monitorimin epidemiologjik. Në lidhje me situatën ka reaguar edhe imunologu Drew Weissman, fitues i Nobelit për Mjekësi në vitin 2023, i cili theksoi se nuk bëhet fjalë për një pandemi të mundshme.
Sipas tij, Hantavirusi nuk përhapet shpejt mes njerëzve dhe rastet mbeten të izoluara. Weissman shtoi se kërkimet për vaksina janë në zhvillim, por ato mund të jenë të disponueshme vetëm pas rreth 9-10 muajsh. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e investimeve në shkencë për parandalimin e pandemive të ardhshme.
Ndërkohë, autoritetet argjentinase dyshojnë se një çift holandez, i cili humbi jetën pasi u infektua, mund ta ketë marrë virusin gjatë udhëtimeve në zona endemike në Kili, Uruguaj dhe Argjentinë, përpara se të hipte në anijen “Mv Hondius”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)