“Anëtarësimi në BE bekim dhe sfidë”, Rama në “EU4Municipalities II” me theksin te dobësitë e bashkive në digjitalizim

Sipas kryeministrit, një nga çështjet kryesore mbetet aftësia për të shfrytëzuar mbështetjen e BE-së jo vetëm financiarisht, por edhe përmes njohurive dhe rritjes së kapaciteteve institucionale.

08.05.2026. 13:23

“Anëtarësimi në BE bekim dhe sfidë”, Rama në “EU4Municipalities II” me theksin te dobësitë e bashkive në digjitalizim

Ka nisur zyrtarisht programi “EU4Municipalities II”, një nismë e Bashkimit Europian që synon forcimin e pushtetit vendor në Shqipëri, përmes investimeve, rritjes së kapaciteteve dhe modernizimit të shërbimeve publike në bashki. Në ceremoninë e prezantimit, kryeministri Edi Rama theksoi se procesi i integrimit europian nuk përfaqëson vetëm një mundësi, por edhe një sfidë të rëndësishme për vendin, veçanërisht për nivelin vendor të qeverisjes.

“Takimi lidhet me një projekt që nuk është thjesht mbështetje financiare, por një investim strategjik i BE-së për të rritur kapacitetet e bashkive në rrugën drejt anëtarësimit. BE dhe anëtarësimi janë një bekim për Shqipërinë, por edhe një sfidë e madhe. ” u shpreh Rama, duke theksuar rëndësinë e programit.

Sipas kryeministrit, një nga çështjet kryesore mbetet aftësia për të shfrytëzuar mbështetjen e BE-së jo vetëm financiarisht, por edhe përmes njohurive dhe rritjes së kapaciteteve institucionale. “Një sfidë e konsiderueshme është aftësia për të thithur mbështetjen e BE-së përmes dijes. Ky program është kyç në këtë drejtim”, tha ai.

Ai vuri gjithashtu theksin te problemet e digjitalizimit në nivel vendor, duke e cilësuar atë si një nga dobësitë kryesore të bashkive. “Kemi një komponent shumë të dobët në qeverisjen vendore, që është digjitalizimi. Ekziston një diferencë e papranueshme mes nivelit qendror dhe atij lokal. Bëni më të mirën që këtë projekt të mos e shihni vetëm si mundësi financimi, por si mundësi për të krijuar eksperiencë dhe për të fuqizuar kapitalin njerëzor”, përfundoi Rama.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)