Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skwnder Hita, zhvilloi takime në Akademinë e Sigurisë me studentë të Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit, si dhe me punonjës policie që po ndjekin trajnimet për hetimin e krimit. Gjatë fjalës së tij para studentëve, Hita vlerësoi zgjedhjen e tyre për t’iu bashkuar Policisë së Shtetit, duke e cilësuar si një vendim që kërkon guxim, disiplinë dhe përgjegjësi.
“Zgjedhja juaj për t’iu bashkuar Akademisë së Sigurisë është për t’u vlerësuar. Është një vendim që flet për dëshirën për t’i shërbyer vendit dhe kërkon përkushtim”, u shpreh ai. Kreu i Policisë theksoi se Akademia e Sigurisë është e akredituar nga Ministria e Arsimit, me standarde bashkëkohore dhe e integruar me praktikat më të mira ndërkombëtare, ndërsa studentët ndjekin kurrikula të bazuara edhe në modelin e Akademisë së Policisë italiane.
Në mesazhin e tij, Hita u ndal te rëndësia e etikës dhe integritetit në profesion, duke theksuar se besimi i qytetarëve është elementi kryesor që duhet ruajtur nga çdo punonjës policie. “Merreni seriozisht dijen, ruani integritetin dhe mos harroni pse keni zgjedhur këtë rrugë. Besimi i qytetarëve fitohet çdo ditë, me ndershmëri dhe përgjegjësi”, tha ai.
Më tej, Drejtori i Përgjithshëm zhvilloi takim edhe me punonjësit e policisë që janë në trajnim për hetimin e krimit, ku vuri theksin te nevoja për përmirësim të vazhdueshëm profesional dhe përgatitje të lartë në përmbushjen e detyrave të policisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)