“Shoferët e rinj do lëvizin me orar”, zbardhen ndryshimet që kërkon PS në Kodin Rrugor

Amendamentet e reja përqendrohen edhe te shoferët e rinj, duke kërkuar që gjatë vitit të parë pas pajisjes me patentë, ata të jenë subjekt i politikës së tolerancës zero ndaj alkoolit gjatë drejtimit të automjetit.

08.05.2026. 15:08

“Shoferët e rinj do lëvizin me orar”, zbardhen ndryshimet që kërkon PS në Kodin Rrugor

Ndryshimet e propozuara nga Partia Socialiste në Kodin Rrugor, të cilat synojnë forcimin e sigurisë në rrugë dhe ashpërsimin e masave ndaj shkelësve fokusohen kryesisht tek drejtuesit e mjeteve pa patentë dhe personat që kapen duke drejtuar automjetin nën efektin e alkoolit.

Sipas propozimeve, çdo person që konstatohet duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi nuk do të ketë të drejtë të pajiset me patentë për një periudhë 1-vjeçare, përveç ndëshkimeve të tjera të parashikuara nga legjislacioni penal në fuqi.

Por, amendamentet e reja përqendrohen edhe te shoferët e rinj, duke kërkuar që gjatë vitit të parë pas pajisjes me patentë, ata të jenë subjekt i politikës së tolerancës zero ndaj alkoolit gjatë drejtimit të automjetit.

Po ashtu, drafti propozon vendosjen e kufizimeve të qarkullimit për drejtuesit me deri në dy vite eksperiencë. Konkretisht, ata nuk do të lejohen të drejtojnë automjetin nga ora 00:00 deri në 06:00 pa praninë e një personi të rritur, i cili duhet të ketë patentë prej të paktën tre vitesh.

Ndryshimet, të cilat janë propozuar nga PS pas aksidentit tragjik me dy fëmijë të vdekur në Durrës, pritet të diskutohen në komisionet parlamentare përkatëse, përpara se të kalojnë për miratim në Kuvend.

Ndryshimet e propozuara nga PS:

Neni 6

Në nenin 127, pika 3.1, bëhet ndryshimi si më poshtë:

Pas togfjalëshit “shkelur.” hiqet fjalia “I njëjti rregull aplikohet edhe për lejet e drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar në rastin kur kundërvajtësi jep pëlqimin.”

Neni 7

Në nenin 139 bëhen këto ndryshime:

Në pikën 5, pas togfjalëshit “shpejtësi” shtohen fjalët “duke sjellë rrezik serioz për përdoruesit e rrugës, sidomos në zonat urbane, përfshirë manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe sjelljet jo sociale në rrugë”.

Në pikën 7 bëhet ndryshimi si më poshtë:

Pas togfjalëshit “tërheqëse” hiqen fjalët “të barrës dhe të shalës”.

Në pikën 8 bëhet ndryshimi si më poshtë:

Masa e gjobës “nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë” bëhet “nga njëzet mijë deri në gjashtëdhjetë mijë lekë”.

2. Para nenit 5 të projektligjit shtohen nenet 9 dhe 10 me këtë përmbajtje, ndërsa neni 5 rinumërohet neni 11:

Neni 9

Titulli i nenit 171 ndryshohet nga “Përdorimi i syzeve optike dhe i aparateve të tjera gjatë drejtimit të mjetit” në “Përdorimi i aparateve telefonike dhe i pajisjeve digjitale të komunikimit, i syzeve optike dhe i pajisjeve të tjera gjatë drejtimit të mjetit”.

Në nenin 171, pas pikës 2 shtohen pikat 2.1 dhe 2.2 me këtë përmbajtje:

“2.1 Ndalohet gjithashtu përdorimi i telefonit celular të mbajtur me dorë gjatë drejtimit të mjeteve të tjera, përfshirë biçikletat, motomjetet deri në 50 cc dhe monopatinat me motor.

2.2 Mbajtësi i lejedrejtimit të mjetit, të cilit gjatë lëshimit ose rinovimit të lejedrejtimit i është vendosur kushti për korrigjimin e të metave organike ose të aftësive të ulëta anatomike a funksionale nëpërmjet syzeve optike ose aparateve të tjera të caktuara, është i detyruar t’i përdorë ato gjatë drejtimit të mjetit.”

Në pikën 4, pas togfjalëshit “neni”, fjalët “tre herë brenda të njëjtit vit” zëvendësohen me fjalët “dy herë brenda të njëjtit vit”.

Neni 10

Në nenin 184, pas pikës 11 shtohet pika 11.1 me këtë përmbajtje:

“11.1 Kur nga verifikimet e parashikuara në pikat e këtij neni rezulton një vlerë alkoolike më e lartë se 0,5 gram për litër (g/l) në gjakun e drejtuesit të mjetit dhe ky drejtues është konstatuar e ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur, në rast përsëritjeje merret masa e heqjes së lejes së drejtimit përgjithmonë.”

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)