Në tregjet e kryeqytetit, pazari i përditshëm po kthehet gjithnjë e më shumë në një llogari mbijetese. Qytetarët thonë se çmimet ndryshojnë nga java në javë, ndërsa shporta ushqimore po bëhet çdo ditë më e papërballueshme për familjet shqiptare.
“Dje ishte qepa 160 lekë, sot 250 lekë. Shkojmë aty ku është më lirë, kursejmë gjëra të tjera dhe vijmë në treg, sepse në lagje janë më shtrenjtë”, shprehet një banore e zonës së Selitës, ndërsa blen perime për drekën e familjes.
Rritja e kostos së jetesës po i detyron qytetarët të ndryshojnë mënyrën e konsumit. Disa blejnë më pak produkte, të tjerë zgjedhin alternativa më të lira, edhe pse me cilësi më të dobët. Ndërsa për pensionistët, përballimi i shpenzimeve është bërë edhe më i vështirë.
“Duke e shtrënguar rripin, s’ke çfarë të bësh. Ne mirë që na ndihmojnë fëmijët, se me këto çmime do kishim ngordhur për bukë”, thotë një pensionist në treg.
Sipas Institutit të Statistikave, inflacioni për muajin prill arriti në 2.8 për qind, nga 2.3 për qind që ishte një vit më parë. Rritja është ndikuar kryesisht nga çmimet e qirave, energjisë elektrike, ujit, transportit dhe ushqimeve, duke iu afruar objektivit prej 3 për qind të Bankës së Shqipërisë.
Megjithatë, qytetarët thonë se shtrenjtimi ndihet shumë më tepër sesa tregojnë shifrat zyrtare. Për ta, çdo dalje në treg është një përballje me çmime që ndryshojnë vazhdimisht, ndërsa të ardhurat mbeten të njëjta.
Rritja e çmimeve nuk është një fenomen vetëm shqiptar, por ndryshe nga vendet e tjera, qytetarët këtu thonë se efektet e krizave globale reflektohen menjëherë në xhepat e tyre, pa mekanizma mbrojtës që të zbusin goditjen në ekonominë familjare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)