Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar sërish Albin Kurti si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ndërsa Kurti synon një mandat të ri pas fitoreve të LVV-së në zgjedhjet e vitit 2025, si në ato të shkurtit, ashtu edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit.
Në zgjedhjet e fundit, Vetëvendosje siguroi mbi 51% të votave, ndërsa ai rezultoi kandidati më i votuar në vend. Gjatë fjalës së tij, Kurti tha se mbështetja për LVV-në ka ardhur në rritje të vazhdueshme dhe se objektivi i partisë është të arrijë deri në 60% të votave në zgjedhjet e ardhshme. “Prej shkurtit deri në dhjetor vitin e kaluar u rritëm për 9%. Nëse rritemi po aq prej dhjetorit deri në qershor, mund të prekim 60%. Nëse punojmë siç dimë, me sinqeritet dhe përkushtim, kjo është e mundur”, deklaroi Kurti.
Kryeministri në detyrë akuzoi opozitën për bllokim të institucioneve dhe proceseve politike, duke thënë se kundërshtarët politikë nuk mund ta “mposhtin popullin”, ndaj sipas tij kanë zgjedhur të pengojnë funksionimin e shtetit. “Nuk kishim nevojë për këto zgjedhje. Ndoshta janë të domosdoshme për dikë tjetër, por jo për popullin dhe shtetin”, u shpreh ai.
Kurti shtoi se sa herë opozita tenton të bllokojë qeverinë, mbështetja popullore për Vetëvendosjen vetëm sa rritet. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka bërë të ditur se 22 subjekte politike dhe tre koalicione janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)