Shtatë persona janë shtruar në spitale në Palermo pasi kanë konsumuar peshk ton të kuq, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për helmim ushqimor.
Një prej të intoksikuarve ndodhet në gjendje më të rëndë dhe po trajtohet në repartin e terapisë intensive në spitalin “Villa Sofia”. Të tjerët janë nën vëzhgim në urgjencat e spitaleve Civico, Ingrassia dhe Policlinico.
Sipas hetimeve paraprake, konsumatorët kanë shfaqur simptoma dhe shqetësime të tjera tipike të intoksikimit ushqimor menjëherë pas ngrënies së peshkut.
Karabinierët kanë identifikuar pikën e shitjes ku është blerë toni i kuq. Dyqani i peshkut kishte shitur më shumë se 200 kilogramë ton një ditë para ngjarjes, ndërsa gjatë kontrollit është sekuestruar edhe një tjetër sasi peshku e përgatitur për shitje.
Dyshimet kryesore janë se peshku mund të ketë pasur nivel të lartë histamine, një substancë toksike që krijohet nga prishja e mishit të tonit dhe që në sasi të larta shkakton sindromën e njohur si “helmimi skombrid”.
Hetimet po vijojnë nga autoritetet shëndetësore dhe karabinierët për të përcaktuar saktësisht burimin e ndotjes dhe përgjegjësitë për rastin.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)