Helmimi i 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, AKU zbulon detaje nga hetimet

Po ashtu, është kryer edhe kampionimi i ujit të rrjetit për analiza mikrobiologjike, ndërsa Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor vijon kontrollet dhe verifikimet përkatëse.

09.05.2026. 16:47

Helmimi i 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, AKU zbulon detaje nga hetimet

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar edhe njëherë lidhur me rastin e dyshuar të helmimit të disa studentëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk, duke bërë të ditur se hetimet po vijojnë në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.

Sipas njoftimit të AKU-së, menjëherë pas marrjes së informacionit nga Akademia e Sigurisë, trupat inspektuese kanë nisur verifikimet në terren për të identifikuar shkakun.

Institucioni bën me dije se janë marrë mostra të produkteve ushqimore dhe të lëndëve të para të përdorura në kuzhinë, të cilat janë dërguar për analiza laboratorike pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë. Aktualisht priten rezultatet zyrtare të analizave.

Po ashtu, është kryer edhe kampionimi i ujit të rrjetit për analiza mikrobiologjike, ndërsa Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor vijon kontrollet dhe verifikimet përkatëse.

Në kuadër të hetimit, Instituti i Shëndetit Publik ka marrë mostra edhe për kontrollin e higjienës në ambientet ku përgatitet ushqimi, me qëllim përcaktimin e çdo elementi që mund të ketë ndikuar në helmimin e dyshuar.

AKU thekson se është në komunikim të vazhdueshëm me ISHP dhe institucionet shëndetësore për raportin epidemiologjik, i cili pritet të ndihmojë në identifikimin e burimit të infeksionit dhe parandalimin e rasteve të tjera.

Sipas AKU-së, inspektorët dhe stafi mbeten në gatishmëri të plotë deri në përfundimin e hetimeve për këtë rast.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)