Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se negociatat për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian vijojnë normalisht dhe nuk janë bllokuar nga shtetet anëtare, siç është pretenduar në debate të ndryshme publike. Në një konferencë të përbashkët me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, Rama sqaroi se Shqipëria negocion drejtpërdrejt me Komisionin Europian dhe jo individualisht me shtetet anëtare të Unionit.
“Sot në Bruksel nuk negocion Shqipëria me Bashkimin Europian, por Komisioni Europian diskuton me shtetet anëtare. Shqipëria negocion me Komisionin, nuk negocion me shtetet”, u shpreh kryeministri. Sipas Ramës, KE i konsideron të përmbushura detyrimet e Shqipërisë për fazën aktuale të negociatave, duke përfshirë edhe të ashtuquajturat “piketa të ndërmjetme”.
“Komisioni e sheh procesin teknikisht, jo politikisht”, tha kreu i qeverisë, që theksoi se për Tiranën zyrtare ka rëndësi vlerësimi teknik dhe objektiv i Komisionit Europian, ndërsa shtetet anëtare kanë të drejtën e tyre për të mbajtur qëndrime politike gjatë procesit. “Për ne është e rëndësishme çfarë thotë Komisioni Europian, sepse KE e shikon procesin në mënyrë teknike dhe objektive, jo politike dhe subjektive”, tha Rama.
Ai shtoi se subjektiviteti i shteteve anëtare është pjesë normale e procesit të zgjerimit dhe çdo vend ka të drejtë të ngrejë shqetësime apo pyetje gjatë diskutimeve në Bruksel. “Të thuash se procesi është bllokuar nga ‘x’ apo ‘y’ është të shesësh ajër”, nënvijëzoi Rama, i cili shtoi: “Nëse kush beson se ajri blihet, e blen”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)