Diplomatët e BE në mbrojtje të Gonzatos pas deklaratave të Berishës: Sulmet janë të papranueshme

Deklaratat e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj ambasadorit të BE, Silvio Gonzato, kanë sjellë reagimin e menjëhershëm të diplomatëve europianë, të cilët kanë dalë publikisht në mbështetje të përfaqësuesit të BE-së në Shqipëri.

10.05.2026. 11:34

Përmes një deklarate të përbashkët të publikuar në rrjetet sociale nga ambasadori i Qipros në Athinë, Stavros Avgoustides, vend që mban presidencën e radhës së BE-së, diplomatët europianë shprehën solidaritetin dhe besimin e plotë ndaj Gonzatos dhe stafit të delegacionit europian.

“Në Ditën e Europës, ne qëndrojmë të bashkuar në mbështetje të Ambasadorit të BE-së dhe ekipit të tij, dhe rikonfirmojmë besimin tonë të plotë në profesionalizmin, integritetin dhe shërbimin e tyre të përkushtuar”, thuhet në reagim.

Edhe zëdhënësi i Komisionit Europian reagoi ashpër ndaj deklaratave të Berishës, duke i cilësuar ato të papranueshme.

“BE-ja dënon me forcë sulmet personale të bëra në Ditën e Europës ndaj Ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri. Ambasadori i BE-së ka vepruar në çdo kohë me profesionalizëm dhe integritet të plotë”, thuhet në deklaratë.

Një ditë më parë, Berisha e quajti Gonzaton “ambasador të Edi Ramës”, duke pretenduar se diplomati europian kishte deklaruar në Bruksel se opozita shqiptare nuk mbështet integrimin europian të vendit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)