“Kriteret nuk shmangen”, ambasadori Gonzato: S’ka rrugë të shkurtra drejt anëtarësimit në BE

Ambasadori i BE-së vuri theksin edhe te rëndësia e forcimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një investim të domosdoshëm për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit dhe rajonit.

09.05.2026. 12:48

“Kriteret nuk shmangen”, ambasadori Gonzato: S’ka rrugë të shkurtra drejt anëtarësimit në BE

Ambasadori i Bashkimi Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato ka deklaruar se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE nuk mund të ketë “rrugë të shkurtra” dhe as shmangie të standardeve të kërkuara. Duke folur në aktivitetin për çeljen e Javës së Europës, Gonzato theksoi se Shqipëria si vend kandidat, po investon në një të ardhme më të sigurt dhe më të bashkuar, por procesi i integrimit kërkon përmbushje të plotë të kritereve.

“Nuk mund të ketë rrugë të shkurtra të anëtarësimit, as shmangie të kritereve. Dua të jem i fokusuar në përmbushjen e të gjitha standardeve të Shqipërisë në BE”, u shpreh ai. Ambasadori i BE-së vuri theksin edhe te rëndësia e forcimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një investim të domosdoshëm për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit dhe rajonit.

“Forcimi i shtetit të së drejtës është investimi më i sigurt për stabilitetin dhe prosperitetin e vendit dhe rajonit. Jam i sigurt se Shqipëria ka kapacitetin për të arritur këtë qëllim”, tha Gonzato. Ai shtoi gjithashtu se siguria e Europës është e përbashkët dhe se Shqipëria, si vend aspirant për anëtarësim në BE, është pjesë e rëndësishme e kësaj arkitekture sigurie.

“Siguria e Europës është siguria jonë e përbashkët… Paqja nuk është falas, ajo duhet mbrojtur çdo ditë”, deklaroi ambasadori, duke iu referuar edhe pasojave të luftës në Ukrainë. Gonzato u shpreh gjithashtu krenar që përfaqëson Bashkimin Europian dhe vlerat e tij, në kuadër të procesit të zgjerimit drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)