Në Ditën e Europës, Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, duke e akuzuar se mban qëndrim të njëanshëm në favor të qeverisë së Edi Rama. Gjatë një deklarate për mediat, kreu i Partisë Demokratike tha se Gonzato “sillet si ambasadori i Edi Ramës” dhe pretendoi se ai ka transmetuar në Bruksel informacione të pavërteta për opozitën shqiptare. “Ky zotëri, në mënyrë të vërtetuar, ka transmetuar në Bruksel trillime ndaj opozitës, sikur opozita nuk është për integrimin europian”, deklaroi Berisha.
Akuza edhe ndaj ish-zyrtarëve europianë
Kreu demokrat akuzoi gjithashtu ish-përfaqësuesit e BE-së për lidhje të afërta me qeverinë shqiptare dhe për ndikim në procesin e integrimit. Ai përmendi ish-ambasadoren e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, për të cilën tha se raportet e saj për Shqipërinë “shkruheshin në zyrat e Edi Ramës”. Berisha përmendi edhe ish-përfaqësuesen e lartë të BE-së Federica Mogherini, duke bërë thirrje që institucionet europiane të hetojnë marrëdhëniet dhe marrëveshjet mes saj dhe qeverisë shqiptare.
“PD është pro integrimit”
Berisha mohoi pretendimet se opozita shqiptare është kundër integrimit europian, duke theksuar se Partia Demokratike e mbështet plotësisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE. “Eksponentë të rëndësishëm të BE-së ia kanë bërë të qartë Gonzatos se PD-ja dhe opozita janë thellësisht të pozicionuara për integrimin në Bashkimin Europian”, u shpreh ai. Në fund të deklaratës, Berisha tha se do të vazhdojë të denoncojë publikisht ato që i konsideron si deformime të realitetit politik shqiptar në raportet ndërkombëtare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)