Rritja e rasteve problematike në ambientet shkollore ka vënë në lëvizje Policinë e Shtetit, e cila ka urdhëruar masa të menjëhershme për forcimin e sigurisë në institucionet arsimore në të gjithë vendin. Fokus i veçantë do të jetë parandalimi i shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe mbajtjes së armëve të ftohta pranë shkollave.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u ka dërguar një telegram të gjitha drejtorive vendore dhe komisariateve, ku kërkon angazhim maksimal për goditjen e këtyre fenomeneve që po cenojnë sigurinë e nxënësve dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Sipas Hitës, gjatë vitit shkollor 2024-2025 janë regjistruar disa ngjarje të rënda, ku nxënës apo persona të tjerë kanë hyrë në ambientet e shkollave me sende të ndaluara, duke shkaktuar incidente që kanë rrezikuar jetën dhe sigurinë e të miturve.
Në udhëzimet e dërguara, drejtori i Policisë thekson se një nga shqetësimet kryesore mbetet shpërndarja e drogës pranë shkollave, si edhe mbajtja e armëve të ftohta nga të rinjtë.
Ai kërkon forcim të bashkëpunimit mes agjentëve të policisë dhe drejtuesve të institucioneve arsimore, me synim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe rritjen e sigurisë për nxënësit.
Ndër masat e kërkuara përfshihet edhe caktimi i një agjenti policie në çdo institucion arsimor, si edhe zhvillimi i kontrolleve të befasishme dhe të paparalajmëruara në shkolla.
Hita paralajmëron gjithashtu se do të hetohen të gjithë efektivët që nuk do të zbatojnë detyrat e ngarkuara në kuadër të këtij plani masash.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)