Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter për BE, Berisha i përgjigjet Ramës: Rezoluta për integrimin nuk lavdëron qeverinë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi me tone të ashpra ndaj deklaratave të bëra më herët gjatë ditës në podcast-in ‘Flasim’ nga kryeministrit Edi Rama lidhur me votimin nga opozita të rezolutës për integrimin europian të Shqipërisë.
Teksa Rama u shpreh se ky ishte një sinjal se procesi i negociatave të Shqipërisë me Bashkimi Europian po ecën përpara pa pengesa, Berisha në një videomesazh tha se mbështetja e opozitës për procesin e integrimit nuk duhet interpretuar si miratim për punën e qeverisë.
Sipas tij, rezoluta e miratuar në parlament nuk përmban “asnjë fjalë vlerësimi” për ekzekutivin apo institucionet shqiptare, por vetëm liston kushtet dhe detyrimet që vendi duhet të përmbushë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“E vërteta është se, opozita ka një tezë nga e cila nuk lëviz, se Shqipëria përveç kriterit gjeopolitik nuk plotëson absolutisht asnjë kriter për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por opozita e mbështet këtë proces si një proces të diktuar nga gjeopolitika dhe kurrë ndonjëherë nuk ka menduar dhe nuk mendon të bllokojë procesin. Rezoluta nga alfa tek omega nuk ka asnjë fjalë vlerësimi për punën e qeverisë apo të parlamentit, por thjesht rreshton kërkesat dhe detyrat të domosdoshme për procesin e integrimit”, deklaroi Berisha, duke shtuar se opozita e mbështet procesin e integrimit si një domosdoshmëri strategjike dhe “kurrë nuk ka menduar ta bllokojë atë”.
Lideri demokrat reagoi edhe ndaj një deklarate të Ramës gjatë një konference në Talin të Estonisë, ku sipas tij kryeministri krahasoi shqiptarët me talebanët. Berisha e cilësoi këtë krahasim si fyes dhe të papranueshëm për shqiptarët.
“Asgjë nuk i lidh shqiptarët me talebanët. Nuk i lidh as historia, as besimi, as politika. Ata janë një organizatë terroriste e damkosur”, u shpreh ai, duke akuzuar Ramën se përdor deklarata ekstreme “për t’u dukur interesant”.
Në vijim të reagimit të tij, Berisha kundërshtoi edhe pretendimet e Ramës për mungesën e kontakteve historike me Rusinë, duke theksuar se ndër vite kanë ekzistuar vizita dhe marrëdhënie zyrtare mes dy vendeve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)