Përplasje në Kuvend për integrimin, socialistët: BE-ja nuk është më ëndërr, Brukseli mirëpret Shqipërinë

Ministrat dhe deputetët socialistë theksuan gjatë debatit për procesin e integrimit në Kuvend, se Shqipëria po hyn në një fazë të re të marrëdhënieve me Brukselin, ndërsa opozita ngriti kritika mbi ritmin e reformave dhe standardet demokratike.

14.05.2026. 13:32

Përplasje në Kuvend për integrimin, socialistët: BE-ja nuk është më ëndërr, Brukseli mirëpret Shqipërinë

Procesi i integrimit europian dhe klima e investimeve në Shqipëri ishin sot në qendër të debatit në Kuvend, ku përfaqësues të qeverisë mbrojtën progresin e vendit në raport me Bashkimin Europian dhe treguesit ekonomikë.

Ministrat dhe deputetët socialistë theksuan se Shqipëria po hyn në një fazë të re të marrëdhënieve me Brukselin, ndërsa opozita ngriti kritika mbi ritmin e reformave dhe standardet demokratike.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se politika e zgjerimit mbetet një prioritet i Bashkimit Europian dhe se Shqipëria po gëzon raportet më të mira ndonjëherë me partnerët europianë.

“Qëndrimi i BE-së ndaj zgjerimit nuk ka ndryshuar, ai mbetet një nga prioritetet e BE-së. Konstatimi i dytë është se marrëdhëniet tona me BE dhe vendet anëtare nuk kanë qenë asnjëherë më të ngushta, më konkrete, më përmbajtësore dhe më premtuese se sa sot. Në bazë të kësaj marrëdhënie, natyrshëm qëndron procesi i negocimit për anëtarësimin, një proces i bazuar në meritë, ku reformat reale dhe rezultatet konkrete mbeten kriteri i vetëm i vlerësimit nga BE. Konstatimi i tretë ka të bëjë me progresin domethënës që ka bërë Shqipëria, falë punës së administratës publike, angazhimit të ekipit negociator, vullnetit politik të përgjithshëm në këtë vend dhe mbështetjes së partnerëve europianë, vendi ka avancuar me një ritëm të përshpejtuar, të pazakontë dhe absolutisht të vlerësuar”, tha Hoxha.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili argumentoi se raportet ndërkombëtare dhe shifrat ekonomike tregojnë një realitet pozitiv për Shqipërinë, pavarësisht debateve politike të brendshme.

Sipas tij, investimet e huaja direkte gjatë vitit 2024 kanë arritur nivelin më të lartë historik.

“Shqipëria është duke ecur në drejtimin e duhur. Fatkeqësisht ekonomia nuk mat retorikën tonë politike, por mat sjelljen e kapitalit. Kapitali flet qartë. Në 2024-ën, investimet huaja direkte arritën në 1.71 miliardë dollarë, rekord historik për Shqipërinë. Stoku është rritur mbi 80%. Ekonomia jonë vazhdon të rritet me ritme të qëndrueshme nga 3.7-4%, e cilësuar nga FMN si ekonomia me rritjen më të madhe në rajon dhe Europë. Inflacioni ka mbërritur në 2.2%. Këto nuk janë slogane qeveritare, por tregues ekonomikë. Ndaj lind pyetja: pse investohet sot në Shqipëri më shumë se dje? Sepse investitori ndërkombëtar investon mbi drejtimin strategjik të një vendi. Kapitali nuk pyet kush bërtet më fort në politikë, pyet a ka stabilitet, siguri juridike dhe orientim të qartë europian”, deklaroi Gogu.

Debati në Kuvend u shoqërua edhe me reagimin e deputetit socialist Igli Hasani, i cili iu përgjigj kritikave të opozitës për mënyrën sesi po menaxhohet procesi i integrimit europian.

Hasani theksoi se raportet e Komisionit Europian duhet të përdoren si instrument për përmirësim dhe jo si armë politike.

“Ta hedhësh poshtë një bllok që konsolidon një informacion kaq komplet nuk i shërben debatit. E përdorim si bazë për të parë çfarë është bërë e çfarë duhet bërë dhe kur duhet të përshpejtohen reformat. Raporti nuk është fundi i llogaridhënies, por fillimi. Nuk e shoh Kuvendin si noter të integrimit, por garant të transparencës dhe mbikëqyrjes. Integrimi europian nuk është një projekt zyrash, por i një shoqërie të tërë. Nëse qytetarët nuk e kuptojnë procesin, nuk mund ta ndjejnë si të tyren. BE nuk është vetëm destinacion politik, është standard dhe nuk i shërben procesit kritika pa perspektivë dhe euforia pa masë. Ajo që e çon vendin përpara është puna serioze dhe llogaridhënia për punën. Konsensus nuk do të thotë mungesë kritike, por të mos e kthejmë integrimin në betejë të përditshme. Shqipëria po punon për mënyrën sesi do të hyjë në Evropë. Për herë të parë Evropa nuk është më ëndërr, por një standard që mund ta kërkojmë këtu”, u shpreh Hasani.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)