Pas hapjes së 6 km të reja, tender 13.7 mln euro për gjelbërimin e autostradës Tiranë-Durrës

Ndërhyrja ishte paralajmëruar edhe gjatë inspektimit të zhvilluar pak ditë më parë në autostradë, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Në atë inspektim u bë me dije se faza e parë e zgjerimit të aksit ishte hapur për qarkullim me katër korsi.

13.05.2026. 12:17

Pas hapjes së 6 km të reja, tender 13.7 mln euro për gjelbërimin e autostradës Tiranë-Durrës

Pak ditë pasi u hapën për qarkullim 6 kilometrat e para të zgjeruara të autostradës Tiranë-Durrës, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka çelur një tjetër procedurë që lidhet me transformimin e këtij aksi, këtë herë të fokusuar te gjelbërimi dhe përmirësimi estetik i segmentit nga Dogana deri te nënkalimi i Limuthit.

Projekti synon t’i japë një pamje të re hyrjes kryesore rrugore të vendit, përmes mbjelljes së pemëve, shkurreve dekorative dhe krijimit të hapësirave të gjelbra përgjatë autostradës.

Kontrata me objekt “Plotësim i punimeve dhe përmirësimi estetik nga sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit” ka një fond limit prej 1.31 miliardë lekësh, ose rreth 13.7 milionë euro.

Ndërhyrja ishte paralajmëruar edhe gjatë inspektimit të zhvilluar pak ditë më parë në autostradë, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Në atë inspektim u bë me dije se faza e parë e zgjerimit të aksit ishte hapur për qarkullim me katër korsi, ndërsa paralelisht do të vijonte puna për sistemimin urban dhe estetik të gjithë segmentit.

Sipas dokumenteve të publikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, projekti i ri përfshin “punime mbushje me dhe vegjetal, mbjellje me bar, mbjellje shkurresh dekorative, mbjellje pemësh dekorative si edhe ndërtimin e një impianti automatik ujitjeje për sipërfaqet e gjelbëruara”.

ARRSH sqaron se “sipërfaqja totale e parashikuar për zbatimin e projektit të gjelbërimit është rreth 65 mijë metra katrorë, që përfshin mbushje me dhe vegjetal”.

Sipas dokumentit, trafikndarësja qendrore do të ketë një gjatësi prej 7,050 metrash linearë dhe gjerësi 1.8 metra, ku do të mbillen shkurre dekorative. Në deklaratën shoqëruese theksohet gjithashtu se “pjesa anësore, nga barriera deri tek kanali kullues në të dy drejtimet e rrugës Tiranë–Durrës, ka një gjatësi prej rreth 6000 metrash linearë dhe gjerësi që varion nga 1.2 deri në 3.8 metra, ku parashikohet mbjellje me pemë dhe shkurre dekorative”.

Po ashtu, ARRSH bën të ditur se hapësira të tjera për gjelbërim do të shtrihen në rreth 31 mijë metra katrorë, ku do të realizohet mbjellje me bar, ndërsa “parashikohet ndërtimi i një impianti ujitjeje automatike për sipërfaqet e gjelbërimit, me monitorim dhe kontroll në distancë përmes sistemit të automatizuar”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)