Hapet plotësisht segmenti i zgjeruar i autostradës Tiranë–Durrës, 6 km me 4 korsi deri te mbikalimi i Rinasit

Investimi në segmentin prej 6 kilometra do të krijojë një lidhje më efikase mes kryeqytetit, Aeroportit të Rinasit dhe Portit të Durrësit, si dhe do të ndihmojë në shfryrjen e fluksit të trafikut që vjen nga veriu i vendit drejt Tiranës.

28.04.2026. 12:01

Hapet plotësisht segmenti i zgjeruar i autostradës Tiranë–Durrës, 6 km me 4 korsi deri te mbikalimi i Rinasit

Është hapur plotësisht për qarkullim segmenti i zgjeruar i autostradës Tiranë–Durrës deri në mbikalimin e Rinasit, duke lehtësuar trafikun në një nga akset më të ngarkuara rrugore në Shqipëri.

Investimi në segmentin prej 6 kilometra do të krijojë një lidhje më efikase mes kryeqytetit, Aeroportit të Rinasit dhe Portit të Durrësit, si dhe do të ndihmojë në shfryrjen e fluksit të trafikut që vjen nga veriu i vendit drejt Tiranës.

Kryeministri Edi Rama inspektoi nga afër aksin, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, si dhe drejtuesi i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli.

Ministri Karakaçi bëri të ditur se zgjerimi ka sjellë shtimin e dy korsive të reja, duke e ngritur aksin në kategorinë A të standardeve rrugore.

Foto: Facebook/Edi Rama

“Janë shtuar dy korsi. Bëjmë një rritje kategorie në kategorinë A. Faza e tretë fillon nga Mbikalimi i Rinasit dhe shkon deri në Mbikalimin e Laknasit. Do të vijojmë gjatë 2026-ës me kilometrat pasues pas kilometrit të 7. Është rrugë prioritare sepse bën lidhjen nga Porti i Durrësit me pjesën e Shqipërisë, por bën edhe shfryrjen e qarkullimit nga Veriu në Tiranë, pasi me rrugën e përfunduar ne lidhemi nga Aeroporti i Rinasit dhe me vijimin e saj nga nyja e Kasharit. Siç shikohet është me 4 korsi, edhe lëndët asfaltike janë një teknologji e re e përdorur, që është për herë të parë në Shqipëri”, deklaroi Karakaçi.

Sipas drejtuesve të ARRSH-së, teknologjia e re e përdorur në asfaltim garanton rritje të kapacitetit mbajtës të rrugës, jetëgjatësi më të madhe të infrastrukturës, si dhe përmirësim të drenazhimit gjatë reshjeve, duke rritur standardet e sigurisë rrugore.

Kreu i ARRSH bëri me dije se tanimë puna do të vijojë me fazat e ardhshme të zgjerimit drejt Durrësit, ndërsa në fokus mbeten edhe projekte të tjera madhore infrastrukturore si segmentet e Korridorit Blu, Kashar–Lekaj, Lekaj–Fier dhe Milot–Balldren, pjesë e strategjisë kombëtare për modernizimin e rrjetit rrugor shqiptar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)